Përleshja mes “Plisave” dhe “Intelektualëve” në Gjilan, lëndohen tre policë
Tre zyrtarë policorë janë lënduar të mërkurën në Gjilan, gjatë ndërhyrjes për të parandaluar një përleshje fizike mes tifozëve të Prishtinës, “Plisave”, dhe atyre të Dritës, “Intelektualëve”, siç njofton Telegrafi. Edhe RTK raportoi se tifozët e të dyja skuadrave tentuan të përleshen në Gjilan dhe se gjatë ndërhyrjes u lënduan tre policë.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, rasti ka ndodhur më 4 nëntor, rreth orës 13:50, jashtë stadiumit ku po zhvillohej ndeshja mes Dritës dhe Prishtinës, në kuadër të Albi Mall Superligës, kur tifozët e të dyja ekipeve kanë tentuar të përleshen fizikisht ndërmjet vete, me ç’rast është dashur ndërhyrja e njësive policore për parandalimin e përshkallëzimit të situatës.
Gjatë ndërhyrjes janë lënduar tre zyrtarë policorë, të cilët kanë kërkuar tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Gjilan dhe, sipas raportit mjekësor, kanë pësuar lëndime të lehta trupore.
Njësiti i Hetimeve i Stacionit Policor në Gjilan, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin dhe ndriçimin e rrethanave të rastit.
Ndërkohë, në fushën e lojës, Prishtina triumfoi 2-1 ndaj Dritës, duke marrë tri pikë të rëndësishme dhe duke u ngjitur në krye të tabelës së Superligës.