E enjte, 12 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›Përmbytje dhe rrëshqitje dherash në Itali, evakuohen rreth 100 persona në Toskanë

Përmbytje dhe rrëshqitje dherash në Itali, evakuohen rreth 100 persona në Toskanë

Reshjet intensive të shiut kanë goditur rajonin e Toskanës në Itali, duke shkaktuar përmbytje, dalje të lumenjve nga shtrati dhe rrëshqitje dherash. Si pasojë e motit të keq, rreth 100 persona janë evakuuar nga zonat e rrezikuara, raportojnë mediat italiane.

Sipas të përditshmes “La Repubblica”, reshjet e dendura kanë prekur veçanërisht zonat e Massa-s, Carrara-s dhe disa pjesë të bregdetit Tirren. Për shkak të situatës së krijuar, rajoni i Toskanës qëndroi nën alarmin e kuq të motit deri në mesnatën e së enjtes.

Në qytetin e Massa-s, lumi Frigido doli nga shtrati, duke rrezikuar zonat përreth. Ndërkohë, rreth 100 banorë nga fshatrat Casette dhe Forno u detyruan të largoheshin nga banesat e tyre, pasi një rrëshqitje dheu bllokoi rrugën që lidh këto zona me pjesën tjetër të territorit.

Probleme të ngjashme u raportuan edhe në provincën e Luccës, ku disa përrenj dhe lumi Serchio dolën nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje në disa zona.

Në San Giuliano Terme, në provincën e Pisa-s, banesat që ndodhen në zonën e përmbytjeve të lumit Serchio mbetën të evakuuara. Ndërkohë, një urë në zonën e Ripafratta u mbyll për qarkullimin për shkak të rrezikut.

Moti i keq shkaktoi gjithashtu probleme në qarkullimin rrugor. Një segment rrugor në zonën e Caprigliola-s, në Massa-Carrara, u mbyll përkohësisht në të dyja drejtimet pas një rrëshqitjeje dheu gjatë natës, ndërsa trafiku u devijua në rrugë alternative.

Lini një koment