Përmbytjet nga lumi Clinton lënë pas dëme në Utica, ujërat nisin të tërhiqen
Situata në qytetin Utica, në qarkun Macomb, ka nisur të normalizohet gradualisht pasi ujërat e lumit Clinton, që përmbytën zonën gjatë kësaj jave, kanë filluar të tërhiqen. Megjithatë, pasojat e përmbytjes janë ende të dukshme dhe autoritetet paralajmërojnë për rreziqet që mbeten.
Banorët e zonës përballen me një realitet të vështirë, pasi oborret, rrugicat, parqet dhe hapësira të tjera janë mbuluar nga balta dhe mbeturinat e lëna pas nga uji. Nivelet e lumit u rritën ndjeshëm, duke arritur deri në rreth 90 centimetra mbi normë në disa zona.
“Na përmbyt pothuajse çdo pranverë, por kjo ishte shumë më e rëndë se zakonisht,” tha një banore e zonës, e cila jeton prej 15 vitesh në Utica. Sipas saj, përmbytja e fundit ka shkaktuar dëme të mëdha, duke shkatërruar bimët, duke përmbytur oborrin dhe duke rrezikuar edhe mjete të parkuara pranë shtëpisë.
Përveç dëmeve materiale, banorët ankohen edhe për erën e rëndë që ka lënë pas uji i përmbytjes, i cili mund të jetë i kontaminuar.
Autoritetet lokale paralajmërojnë se lumi Clinton mbetet i rrezikshëm për çdo lloj aktiviteti rekreativ. Brigjet e paqëndrueshme, rrjedhat e forta, mundësia e ndotjes me ujëra të zeza dhe mbeturinat e rrezikshme rrisin ndjeshëm rrezikun për lëndime apo aksidente.
Zyrtarët e menaxhimit të emergjencave në qarkun Macomb theksojnë se, edhe pse niveli i ujit po bie, situata kërkon ende kujdes maksimal nga qytetarët.
Nëse nuk ka reshje të tjera të mëdha gjatë fundjavës, pritet që gjendja të përmirësohet ndjeshëm brenda 48 orëve të ardhshme. Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të shmangin kontaktin me ujin dhe të presin stabilizimin e plotë të situatës përpara se të fillojnë pastrimin dhe rikuperimin e zonave të prekura.