Përplasje mes tri veturash në Mramor, tre persona përfundojnë të lënduar
Tre persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur pasditen e sotme në magjistralen Prishtinë–Gjilan, përkatësisht në fshatin Mramor. Në përplasje janë përfshirë tri automjete.
Lajmin e ka konfirmuar për Klan Kosova zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. “Rreth orës 16:00, në rrugën Prishtinë–Gjilan, saktësisht në fshatin Mramor, ka ndodhur një aksident trafiku. Në këtë aksident janë përfshirë tri automjete. Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore kanë pësuar tre persona”, ka deklaruar ajo.
Njësiti i trafikut rajonal ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po merret me hetimin e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa policia ka nisur punën për zbardhjen e shkakut të përplasjes.
Burimi: Klan Kosova