Friday, 14 August 2026
54°F Detroit
BallinaLajme nga ShqiperiaPërshtatën lokalin për shitje të lëndëve narkotike, në pranga pronari dhe punonjësi në Himarë

Përshtatën lokalin për shitje të lëndëve narkotike, në pranga pronari dhe punonjësi në Himarë

Dy persona janë vënë në pranga nga Policia e Himarës mbrëmjen e djeshme, pasi dyshohet se kishin përshtatur lokalin për shitjen e lëndëve narkotike.

Sipas raportimeve të Policisë, në pranga kanë rënë M. B., 33 vjeç, pronari i lokalit, të cilit gjatë kontrollit iu gjet një armë sportive pa leje, si dhe Gj. Gj., 20 vjeç, punonjës në këtë lokal.

Gjatë kontrollit fizik të 20-vjeçarit, iu gjetën 5 doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë dhe 8 doza të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 150 doza kokainë, 8 doza Cannabis Sativa, arma sportive, 2 celularë dhe 1 peshore elektronike.

“Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara gjatë punës operative, se në një lokal nate në plazhin e Potamit, shiteshin lëndë narkotike, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë finalizuan operacionin e koduar “Late-night”.

Ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve të Policisë, në ambientet e subjektit, mundësoi arrestimin në flagrancë të pronarit, shtetasit M. B., 33 vjeç, banues në Tepelenë, dhe banakierit, shtetasit A. Gj., 20 vjeç, banues në Lazarat.

20-vjeçarit iu gjetën gjatë kontrollit fizik, 5 doza lënde të dyshuar narkotike Kokainë dhe 8 doza lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, ndërkaq, gjatë kontrollit në banesën e 33-vjeçarit, u gjetën 145 doza lënde të dyshuar narkotike Kokainë, 1 peshore elektronike, si dhe 1 armë sportive (pistoletë) që posedohej pa leje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Lini një koment