“Personazhi kryesor është Lulzim Berisha”, Ferhati: Të tjerët në video nuk janë kategoria e tij
Gazetari i Euronews Albania, Eni Ferhati i ftuar këtë të martë në emisionin “Now” me Erla Mëhillin ka folur lidhur me videon e shpërndarë nga një festë në qelinë e burgut të Durrësit. Ferhati thekson se në këtë video personazhi kryesor që identifikohet është Lulzim Berisha.
Ai shtoi se Berisha është nën hetim dhe i pandehur për vepra shumë të rënda penale. Sa i përket personave të tjerë që shihen në video, gazetari theksoi se ata nuk janë të të njëjtës kategori me Berishën.
“Ka qarkulluar kjo video në rrethe të ngushta para se të publikohej nga kolegu Vezaj dhe bëhet fjalë për një festë ku janë disa personazhe. Ndërkohë personazhi kryesor që identifikohet patjetër që është Lulzim Berisha.
Një personazh i cili mbahet me masë sigurie “arrest me burg” si person nën hetim dhe i pandehur nga Prokuroria e Posaçme për vepra shumë të rënda penale. Ka dhe individë të tjerë aty të cilët deri diku janë të identifikueshëm.
Nuk janë kategoria po themi e Lulëzim Berishës. Personat e tjerë të cilët e shoqërojnë janë duke festuar, shikohen në pamje pijet alkoolike që po konsumojnë. Me këto pamje, këtë mund të vërtetojmë.
Sigurisht që është një pamje e cila nuk është aspak normale për një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale. Kanë festat e veta dhe ato nuk e di çfarë sebepi kam patur. Pak kohë më para se të dilte kjo video, ndodhi ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në sistemin penitenciar gjatë viteve të fundit që ishte vrasja që ndodhi në burgun e Peqinit.
Atje para se të ndodhte kjo ngjarje, diçka e ngjashme ndodhi ku një sebepet ku dikush u bë gjysh të mos gaboj, organizoi një festë të tillë dhe pati dhe një video por që nuk rrodhi deri në media”, tha ai.