PERU – Papa Leone XIV mbyll vizitën në AL me një meshë madhështore në Lima
LIMA, 16 nëntor /ATSH-DPA/ – Papa Leone XIV përfundoi vizitën e tij 12-ditore në Amerikën Latine (AL) me një meshë madhështore, pranë kryeqytetit peruan, Lima.
Sipas Vatikanit, në ceremoninë e zhvilluar sot morën pjesë rreth 1,5 milionë besimtarë, duke u bazuar në të dhënat e autoriteteve lokale.
Udhëtimi ishte vizita më e gjatë jashtë vendit e Papës deri më tani.
Gjatë turneut në Peru, Argjentinë dhe Uruguaj më shumë se shtatë milionë njerëz morën pjesë në ceremonitë fetare, ndërsa miliona të tjerë e pritën përgjatë rrugëve.
Papa Leone XIV i lindur në Shtetet e Bashkuara, ka një lidhje të veçantë me Perunë, ku kaloi rreth dy dekada si misionar dhe më pas si ipeshkëv.
Ai ka edhe nënshtetësinë peruane.
Gjatë meshës përmbyllëse, Leone XIV falënderoi popullin për mikpritjen dhe emocionet e treguara gjatë vizitës.
“Dua t’ju siguroj se do t’ju mbaj gjithmonë në zemrën time. Populli peruan është edhe populli im”, deklaroi ai.
Momenti më emocional i udhëtimit ishte vizita në Chiclayo, në veri të Perusë, ku Papa kishte shërbyer më parë si ipeshkëv.
Ai pritet të rikthehet nesër në Vatikan.
Vizita u zhvillua mes shqetësimeve për gjendjen e tij shëndetësore, pasi papa, 71-vjeç, kreu një ndërhyrje për heqjen e një tumori malinj nga mushkëria e djathtë në mesin e tetorit.
Sipas mjekëve të tij, papa Leone XIV tashmë është sërish pa shenja të kancerit.
Megjithatë, ai e përfundoi të gjithë programin e udhëtimit pa probleme të dukshme shëndetësore./ /Ad.Ab./ a.jor.