Friday, 19 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaPërurohet linja ajrore Shqipëri-Kanada/ Rama: Jemi afër objektivit të fluturimeve direkte edhe me SHBA-të

Përurohet linja ajrore Shqipëri-Kanada/ Rama: Jemi afër objektivit të fluturimeve direkte edhe me SHBA-të

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në ceremoninë e përurimit të linjës ajrore midis Shqipërisë dhe Kanadasë, theksoi se ky zhvillim është pjesë e një strategjie më të gjerë për forcimin e lidhjeve ajrore të vendit.

Ai u shpreh optimist edhe për një objektiv madhor: linjën direkte me Shtetet e Bashkuara.

“Objektivi ynë strategjik është që së shpejti të kemi edhe linjën tjetër direkte, atë me Shtetet e Bashkuara. Edhe në raport me këtë objektiv është bërë përparim dhe mund të them se jemi shumë afër finalizimit se sa çfarë mund të mendonim vetëm pak vite më parë,” deklaroi Rama.

Kryeministri vuri në dukje performancën e jashtëzakonshme të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, i cili ka regjistruar rritje rekord të pasagjerëve.

“Të dhënat e aeroportit të Tiranës janë të jashtëzakonshme. Aeroporti i Tiranës mban vendin e parë prej disa vitesh në Evropë për rritjen e numrit të pasagjerëve. Mjafton shifra e ndryshuar e 9 viteve nga 2016 deri në 2025-n për të kuptuar se çfarë rritje marramendëse ka ndodhur me aeroportin e Tiranës,” tha ai.

Rama njoftoi gjithashtu një kapitull të ri të zhvillimit të aeroportit, të fokusuar te transformimi digjital dhe modernizimi.

“Së shpejti po këtu ne do të hapim një kapitull të ri të transformimit digjital të aeroportit dhe modernizimit të mëtejshëm të tij, kapitullin e portave digjitale, të cilat do të jenë porta ku do të hyhet pa asnjë lloj kontrolli,” tha Rama.

Sipas tij, portat digjitale do të funksionojnë duke përdorur inteligjencën artificiale, duke e bërë procesin shumë më të thjeshtë e të shpejtë, veçanërisht për shqiptarët.

“Nëse je shqiptar dhe nëse ke një pasaportë biometrike shqiptare, kjo do të bëjë që për të gjithë pasagjerët shqiptarë që hyjnë në aeroportin e Rinasit të jetë një hyrje si në shtëpinë e tyre dhe i gjithë informacioni do të merret përmes inteligjencës artificiale që do të ketë kjo portë. Ideja është që të fillojë me pasagjerët vendas dhe menjëherë të fillojë me pasagjerët e huaj”, nënvizoi më tej kryeministri Rama.

Fluturimi inaugurues nga TIA realizohet sot më 19 qershor, ndërsa operimet do të vijojnë gjatë sezonit veror deri më 9 tetor 2026, me një frekuencë javore.

Linja e re ajrore i përgjigjet kërkesave në rritje për fluturime direkte jo vetëm mes Shqipërisë, por edhe vendeve të rajonit dhe Kanadasë, ndërsa vlerësohet se rreth 60 mijë pasagjerë në vit lëvizin në këtë drejtim, kryesisht për turizëm, vizita familjare dhe për nevojat e komuniteteve të diasporës.

Lini një koment