Pezullohet efektivi i plagosur në Shkozë! Zbardhet dinamika e atentatit, Policia në kërkim të 2 vëllezërve
Zbardhet dinamika e ngjarjes që ndodhi pak pas mesnate në Shkozë, ku u plagos në këmbë një efektiv policie, jashtë shërbimit.
Policia ka bërë me dije se dy vëllezër kanë tentuar të vrasin me armë zjarri një 31-vjeçar pranë banesës së tij, i cili shoqërohej nga efektivi dhe një person tjetër. Nga të shtënat me armë ëshmbeti i plagosur në këmbë efektivi A. K. 30-vjeç.
Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit A. L., 33 vjeç dhe A. L., 22 vjeç, të dy vëllezër, si autorë të dyshuar të ngjarjes.
Në vijim të veprimeve hetimore, policia arrestoi shtetasin K. S., pasi rezultoi se kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur më herët nga Gjykata për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të efektivit të policisë A. K. Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor ndaj tij për shkelje të rëndë disiplinore.
Sipas policisë, efektivi është konstatuar duke u shoqëruar me një person që kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe nuk kishte njoftuar strukturat policore apo eprorët për situatën.
“Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur në mesnatë, në Shkozë.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas (vëllezër), të cilët dyshohet se tentuan të vrisnin me armë zjarri një 31-vjeçar, pranë banesës së tij.
Arrestohet 31-vjeçari, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Nga të shtënat u plagos aksidentalisht në këmbë një 30-vjeçar (punonjës policie, jashtë shërbimit), i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë.
Ndaj tij, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për ngjarjen e ndodhur në mesnatë, në Shkozë, identifikuan dhe shpallën në kërkim autorët e dyshuar, shtetasit A. L., 33 vjeç dhe A. L., 22 vjeç, (vëllezër).
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas kanë qëlluar me armë zjarri, nga automjeti i tyre, në drejtim të shtetasit K. S., i cili ndodhej pranë banesës së tij, bashkë me shtetasit A. K. dhe L. D.
Nga të shtënat është dëmtuar aksidentalisht në këmbë shtetasi A. K., 30 vjeç (punonjës policie, jashtë shërbimit). Ai po merr mjekim dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestua shtetasi K. S., 31 vjeç, pasi nga verifikimet rezultoi se kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Po punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.
Në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, ndaj punonjësit të Policisë A. K., Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore, të parashikuar nga ligji nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, pasi ky punonjës policie është konstatuar duke u shoqëruar me një person që kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar me vendim gjykate për armëmbajtje pa leje, si dhe nuk ka njoftuar shërbimet policore dhe eprorët për rastin në fjalë”, thuhet në njoftim.