E mërkurë, 25 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›PHENIAN – Autoritetet mbyllin përfaqësinë diplomatike të Zvicrës

PHENIAN – Autoritetet mbyllin përfaqësinë diplomatike të Zvicrës

SEUL, 25 nëntor /ATSH-DPA/ – Koreja e Veriut ka urdhëruar mbylljen e zyrës diplomatike të Zvicrës në Phenian dhe largimin e diplomatit zviceran Sylvain Astier nga vendi brenda 48 orëve, raportuan sot mediat shtetërore koreanoveriore.

Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut e ka shpallur Astierin ”persona non grata” duke e justifikuar vendimin me sanksionet e vendosura nga Zvicra ndaj një kampi për fëmijë në Songdowon.

Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA raportoi se Pheniani e konsideron këtë masë shkelje të të drejtave sovrane të vendit dhe të interesave të qytetarëve të tij.

Nga ana tjetër, Zvicra i justifikoi sanksionet me pretendimet se kampi ishte përfshirë në transferimin dhe indoktrinimin e fëmijëve nga territoret e Ukrainës të pushtuara nga Rusia.

Ministri i Jashtëm zviceran, Ignazio Cassis, kishte rihapur zyrtarisht zyrën diplomatike në tetor, pas një periudhe të gjatë mbylljeje për shkak të pandemisë së COVID-19.

Zyra funksionon në varësi të ambasadës zvicerane në Pekin.

Përveç Zvicrës, vetëm disa vende evropiane mbajnë përfaqësi diplomatike në Korenë e Veriut, mes tyre Suedia, Polonia dhe Çekia./ /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment