Philippe paralajmëron krizë financiare në Francë dhe propozon pension në 65 vjeç dhe heqjen e javës 35-orëshe
Kandidati centrist për president i Francës, Édouard Philippe, paralajmëroi të mërkurën se vendi është në prag të një krize financiare spirale dhe premtoi një sërë masash shtrënguese që, sipas tij, nuk mund të shmangen më, siç njofton Reuters. “Rrezikojmë që fati të na ikë nga duart”, tha në një konferencë për shtyp ish-kryeministri i presidentit Emmanuel Macron, duke shtuar se Franca mund të përfundojë e poshtëruar nga kreditorët e saj.
Philippe po vuan në sondazhe, të cilat sugjerojnë se ai mund të mos arrijë as balotazhin e zgjedhjeve presidenciale të pranverës së ardhshme. Kandidatja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen dhe ai i ekstremit të majtë Jean-Luc Mélenchon kryesojnë sondazhet për zgjedhjet e prill-majit prej disa muajsh, duke e vënë Philippe-n nën presion për t’i dhënë jetë fushatës së tij të zbehtë.
Borxhi publik i Francës arriti në 119 për qind të prodhimit të brendshëm bruto në mes të vitit, i treti më i lartë në eurozonë pas Greqisë dhe Italisë, ndërsa deficiti buxhetor pritet në 5.5 për qind të PBB-së këtë vit, më i larti mes 21 vendeve të eurozonës, sipas Komisionit Evropian. “Shumë bashkatdhetarë mendojnë se po e teproj. Do të doja të gaboja. Por jemi pranë situatës që kanë njohur Italia, Greqia dhe Portugalia”, tha Philippe, duke iu referuar krizës së borxhit të eurozonës në vitet 2010-2012, kur disa vende jugore u detyruan të miratonin masa të rënda shtrënguese nën presionin e tregjeve financiare.
Plani i tij parashikon ngritjen e moshës së pensionit në 65 vjeç, nga 62.9 vjet që është aktualisht minimumi për pension të plotë, dhe heqjen e javës ligjore 35-orëshe të punës, me synimin që deficiti të zbresë nën kufirin prej 3 për qind të PBB-së të vendosur nga Bashkimi Evropian deri në fund të mandatit pesëvjeçar. Franca ka një nga moshat më të ulëta të pensionit mes ekonomive të zhvilluara; reforma e vitit 2023, që e ngrinte gradualisht moshën në 64 vjeç, u pezullua vitin e kaluar.
Propozimet e Philippe-t për pensionet janë në kontrast të fortë me ato të rivalëve: Le Pen tha të martën se, nëse fiton zgjedhjet në maj, do t’u lejojë punëtorëve që kanë nisur punë në moshë të re të dalin në pension mes 60 dhe 62 vjeç, pas 40 deri në 42 vjet kontributesh, ndërsa Mélenchon do ta ulte moshën e pensionit në 60 vjeç.