E mërkurë, 18 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›VJENË – IAEA: Marrëveshja bërthamore SHBA-Arabi Saudite e kënaqshme

VJENË – IAEA: Marrëveshja bërthamore SHBA-Arabi Saudite e kënaqshme

VJENË, 18 nëntor /ATSH-AFP/ – Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, mirëpriti sot marrëveshjen mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Arabisë Saudite për zhvillimin e një programi bërthamor civil në mbretëri, duke e cilësuar atë si një rezultat “shumë të kënaqshëm”.

Marrëveshja, e shpallur në korrik, ka ngritur shqetësime lidhur me rreziqet e përhapjes së armëve bërthamore.

Grossi tha se IAEA-ja do të jetë e pranishme dhe do të monitorojë zhvillimet sapo Arabia Saudite të nisë programin e saj të energjisë bërthamore.

Në deklaratën e tij përpara mbledhjes së Bordit të Guvernatorëve të IAEA-së, Grossi bëri të ditur se në tetor SHBA-ja dhe Arabia Saudite i kërkuan agjencisë të ndërmarrë hapat e nevojshëm për zbatimin e masave të mbikëqyrjes dhe verifikimit të marrëveshjes.

Sipas marrëveshjes, IAEA-ja do të marrë informacion dhe do të ketë akses në çdo objekt në Arabinë Saudite që lidhet me konvertimin, pasurimin e uraniumit, prodhimin e karburantit bërthamor dhe ripërpunimin.

Grossi vlerësoi qasjen transparente dhe angazhimin e të dy qeverive me shtetet anëtare dhe sekretariatin e agjencisë.

Ai tha gjithashtu se marrëveshja është plotësisht në përputhje me kuadrin ligjor të IAEA-së dhe se Arabia Saudite ka pranuar edhe masa shtesë verifikimi në baza vullnetare.

Megjithatë, mediet amerikane kanë raportuar se marrëveshja mund t’i lejojë Uashingtonit eksportimin e teknologjisë bërthamore pa garancitë e zakonshme që synojnë të parandalojnë përdorimin e saj të ardhshëm për qëllime ushtarake.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në korrik, pas nënshkrimit të marrëveshjes, se ajo ishte e kushtëzuar nga njohja e Izraelit nga Arabia Saudite. /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment