E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kategoria e Pare›“Pikët merren në fund, nuk shikohet renditja tani”, Kërnaja i vendosur: Mjaft gabuam, Flamurtari futet për fitore ndaj Besës

“Pikët merren në fund, nuk shikohet renditja tani”, Kërnaja i vendosur: Mjaft gabuam, Flamurtari futet për fitore ndaj Besës

Flamurtari kërkon ta nisë fazën e dytë të kampionatit me një rezultat pozitiv, ndërsa përballë do të ketë një rival direkt në garën për kreun, Besën e Kavajës. Për kuqezinjtë, kjo nuk është thjesht një ndeshje e radhës, por një mundësi për të dhënë një sinjal të fortë në garën për objektivat sezonalë. Vlonjatët do të luajnë sot në shtëpi, në një përballje me rëndësi të veçantë për vazhdimësinë e kampionatit.

Para këtij takimi, trajneri Oltijon Kërnaja, në një prononcim për “Panorama Sport”, e ka cilësuar sfidën si mjaft të rëndësishme, duke theksuar se skuadra do të hyjë në fushë me një objektiv të vetëm: fitoren dhe marrjen e tri pikëve.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme. Luajmë ndaj një rivali direkt. Po aq e rëndësishme ishte edhe ndeshja me Bylisin. Tani nis faza tjetër dhe kemi përpara një sfidë tejet të rëndësishme me Besën, në shtëpinë tonë. Sigurisht që në këtë takim do të hyjmë vetëm për fitore. Duhet të marrim pikët maksimale. Boll kemi bërë gabime. Tani duhet të rikthehemi te rezultatet pozitive”, shprehet Kërnaja.

LLOGARITË PËR KREUN

Sa i përket garës për vendin e parë dhe objektivave në kampionat, tekniku vlonjat kërkon të ruajë qetësinë, duke kujtuar se renditja përfundimtare do të përcaktohet vetëm në muajin maj. Sipas tij, kampionati është i gjatë dhe lëvizjet e vazhdueshme në krye të klasifikimit tregojnë se gara mbetet plotësisht e hapur. Kërnaja shpreson që shumë shpejt edhe Flamurtari të marrë kreun dhe, këtë herë, të mos e lëshojë më vendin e parë.

“Kampionati është i gjatë. Pikët merren në fund. Në muajin maj shikohet renditja dhe jo tani. Gjatë sezonit ka pasur shumë shkëmbime mes vendit të parë dhe të dytë. Ekipe që kanë dalë në krye, më pas janë tërhequr dhe kështu me radhë. Besoj se do të vijë edhe koha jonë për të qenë në vendin e parë. Shpresoj që, në momentin kur të arrijmë aty, të mos bëjmë më rokadë, siç kanë bërë ekipet e tjera”, deklaron trajneri.

TIFOZËT, ARMA E FORTË

Një rol të rëndësishëm në këtë përballje pritet të kenë edhe tifozët kuqezi. Kërnaja i konsideron ata si lojtarin e dymbëdhjetë të skuadrës dhe kërkon mbështetjen e tyre në këtë moment të rëndësishëm të kampionatit.

Trajneri thekson se Flamurtari ka ruajtur rezultate pozitive në fushën e vet, ndërsa kalendari i gjashtë ndeshjeve të ardhshme ofron një mundësi të mirë për të grumbulluar pikë të rëndësishme, pasi katër prej tyre do të luhen në Vlorë.

“Tifozët janë arma jonë, lojtari ynë i dymbëdhjetë. Ata janë forca jonë më e madhe. Janë shumë të zjarrtë dhe i presim të na mbështesin, sidomos sot, sepse kemi jashtëzakonisht nevojë për forcën e tyre. Nuk duhet të harrojmë se deri tani nuk kemi pasur asnjë rezultat negativ në shtëpinë tonë. Vazhdojmë përpara me fitore. Kemi pasur disa vështirësi në fazën e parë, pasi kemi luajtur shumë ndeshje jashtë fushe, megjithëse kemi marrë edhe rezultate pozitive në transfertë. Tashmë na rikthehen ndeshjet në shtëpi. Nga gjashtë takimet e ardhshme, katër i kemi në Vlorë. Duhet të bëjmë maksimumin dhe të marrim pikët maksimale. Më pas, pas këtyre gjashtë ndeshjeve, do të shohim renditjen”, përfundon Kërnaja.

Lini një koment