E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Sporti›Pilotët nervozë dhe motori një dështim! Nuk ka paqe te Ferrari këtë sezon

Pilotët nervozë dhe motori një dështim! Nuk ka paqe te Ferrari këtë sezon

Pa pod që prej korrikut, rritet pakënaqësia te skuderia italiane, ndërsa fjalët e Horner kanë sjellë dyshime. Elkann kishte premtuar titullin deri në 2026-ën.

Jo, nuk është Christian Horner problemi i Ferrari-it. Është përsëritja e një historie që vazhdon të trazojë ujërat në Maranello dhe që duket se përkeqësohet nga fundjava në fundjavë. Gara e shumëpritur e shtëpisë, me motorin e ri që shihej si shpëtimi i sezonit, nuk dha rezultatet e shpresuara. Dhe kështu, lista e garave pa pod për një skuderi që synonte titullin, po zgjatet shumë.

Nga gara e Spa në korrik, Ferrari nuk është ngjitur në pod. Në Baku skuadra italiane u ndal te vendi i 4-t me Charles Leclerc dhe i 6-ti me Lewis Hamilton. Red Bull duket më solid me 5 pode në 6 garat e fundit. Pa folur për Mercedes-in, që fluturon i vetëm në krye të një sezoni si dominues dhe që nuk e llogarit më Ferrari-n si rival të rrezikshëm.

Një kuadër i tillë shqetëson jo pak në Maranello, projekti i power unit të këtij viti rezultoi dështim. Motori nuk është elementi i vetëm që trazon ujërat te Ferrari. Dhe kur disa elementë nuk funksionojnë, zërat për ndryshime në drejtim shtohen.

Aktori i parë i situatës komplekse është Lewis Hamilton, cili prej kohësh flet për ndryshime të nevojshme dhe rregulla pagash mes pilotëve. Ai i ka kërkuar publikisht sqarime skuadrës. Hamilton, pas një gare anonime në Baku, iu përgjigj me fjalë njërrokëshë gazetarëve, edhe për temën Horner-Vasseur.

Ishte kapitulli “Horner” që hapi një fazë të re në situatën komplekse të Ferrari-t. Ish-drejtuesi i Red Bull dha një intervistë për “Times”, që për pak orë u bë argumenti kryesor i diskutimit në Baku.

“Ka vetëm një skuadër në Formula 1, ku do të pranoja të shkoja pa kuota aksionare. Ferrari është marka më e rëndësishme në sportin tonë, është një ëndërr”, – tha Horner, duke hedhur kandidaturën, por për momentin është vetëm një ide për Ferrari-n. Tani është edhe një çështje personale për presdentin Elkann, që kishte premtuar titullin deri në 2026-ën. Një premtim që duket ende një ëndërr e pamundur.

Lini një koment