Monday, 3 August 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaPlazhi publik në Durrës, shërbim falas por me mungesë të shërbimeve bazë

Plazhi publik në Durrës, shërbim falas por me mungesë të shërbimeve bazë

Në fund të qershorit, Bashkia e Durrësit prezantoi plazhin e parë publik në qytet, të pajisur me çadra dhe shezlongë që ofrohen falas për pushuesit. Nisma është mirëpritur nga qytetarët, veçanërisht nga të moshuarit, të cilët prej vitesh frekuentojnë këtë hapësirë ranore përgjatë shëtitores “Taulantia”.

Megjithatë, krahas vlerësimeve pozitive, pushuesit vendas ngrenë shqetësime për mungesën e pastërtisë, koshave të mbeturinave, dusheve dhe tualeteve publike. Sipas tyre, këto janë shërbime të domosdoshme për një plazh publik që synon t’u shërbejë si qytetarëve ashtu edhe turistëve.

“Uji është i pastër, por ambienti shihet vetë që nuk është i pastër. Punonjësit e bashkisë nuk po merren fare me këtë ambient. Po të merreshin me pastrimin, do të ishte shumë më mirë”, shprehet një zotëri.

“Plazhi publik më duket shumë i mirë. Unë vij nga Italia dhe është bukur që shezlongët janë falas. Na pengon vetëm pak papastërtia. Duhet të kalojnë më shpesh për ta pastruar”, tha qytetarja.

“Këto janë kushtet, por që të jetë i përshtatshëm duhet të ketë dushe dhe tualete. Këto ndikojnë edhe te pastërtia. Çadrat janë një gjë pozitive, por ka ende punë për t’u bërë”, tha qytetari.

Plazhi publik po frekuentohet jo vetëm nga banorët e Durrësit, por edhe nga turistë të huaj, të cilët e vlerësojnë ofrimin falas të çadrave dhe shezlongëve si një nismë pozitive. Megjithatë, përmirësimi i pastërtisë dhe shtimi i shërbimeve bazë mbeten kërkesat kryesore për ta bërë këtë hapësirë më funksionale dhe më tërheqëse gjatë sezonit turistik.

Lini një koment