“Po bie protesta çdo ditë, kush je ti që na drejton?”, nisin përplasjet mes protestuesve
Protesta ka hyrë në ditën e saj të 24-t. Në sheshin “Skënderbej” nisi grumbullimi i protestuesve, të cilët më pas nisën marshimin drejt Kryeministrisë.
Në sheshin Skënderbej, ku edhe u grumbulluan protestuesit, pas statujës së Heroit Kombëtar, gjendeshin edhe tifozët e Botërorit që janë rehatuar për të ndjekur ndeshjet. Por ‘qetësinë’ e përhershme e prishi zëri i një protestueseje me fëmijë në krahë që iu kundërvu aktivistit Arben Kola duke i kërkuar që protesta mos të vijonte më në rrugë kaq paqësore.
Ajo kritikoi sjelljen e organizatorëve të protestës ndaj emigrantëve dhe i akuzoi si shkak që po zhbëjnë protestën çdo ditë. Më tej, i tha se njerëzit duan të ikin drejt parlamentit (gjë që të pranishmit e brohoritën) dhe jo kryeministrisë, por organizatorët i pengojnë.
Vajza: Erdhën emigrantët dhe i përzutë!
Arben Kola: Kush i përzunë?
Vajza: I përzutë ju, s’i latë të flisnin! U bë rrëmujë aty! Po bie protesta çdo ditë prej jush! Ne duam të ikim te parlamenti tani, pse na drejtoni te kryeministria! Kush je ti që më drejton mua?
Thirrje në kor: Bravo!
Arben Kola: Ik, e lirë je!
Vajza: Ju të ndaloni, thoni mos!
Një qytetare: Bravo, ke shumë të drejtë! Edhe unë u habita, gjithë ajo autokolonë!
Për të zbehur thirrjet e saj, Arben Kola ngriti sërish megafonin duke shqiptuar sërish “dorëheqje”, por vajza nuk u spraps. Në mes të kësaj situate Arben Kola nis marshimin, ndërsa vajza e pyet: “Pse ikën o zotëri, pse nuk dëgjon?” Marshimi vijon, ndërsa ai bën thirrjet “bashkohuni me ne” e “Shqipëri e re.”
Ndërsa vajza vijonte të fliste edhe kundër qeverisë Rama, një tjetër qytetare iu bashkua mendimit të saj për aktet e organizatorëve.
“Këta po na mbledhin dhe po na tallin!”, tha ajo.