Sunday, 26 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaPo shkonin për punë në bregdet, furgoni aksidentohet në Fushë Dukat, 1 i vdekur dhe 5 të plagosur

Po shkonin për punë në bregdet, furgoni aksidentohet në Fushë Dukat, 1 i vdekur dhe 5 të plagosur

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mëngjesin e kësaj të diele në aksin Vlorë–Llogara, pranë fshatit Fushë Dukat, ku një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 06:15, kur një furgon me targa AC 701 AJ, që transportonte punëtorë të cilët dyshohet se ishin nisur për punë nga Tirana drejt zonës së bregdetit, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anës saj.

Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i mjetit dhe katër pasagjerë kanë mbetur të plagosur, ndërsa paraprakisht dyshohet se një person ka humbur jetën. Viktima është identifikuar si I.H, 52 vjeç.

Për shkak të deformimit të furgonit nga përplasja, disa prej personave që ndodheshin brenda mjetit mbetën të bllokuar mes llamarinave dhe hekurave. Ekipet e zjarrfikësve ndërhynë për të prerë pjesë të mjetit dhe për të bërë të mundur nxjerrjen e të plagosurve.

Të plagosurit janë identifikuar si S.H, 22 vjeç; Q.H, 44 vjeç; S.R, rreth 22 vjeç, si dhe një person tjetër, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur.

Ata u transportuan me ambulanca drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa trupi i viktimës u dërgua në morgun e spitalit.

Sipas dyshimeve paraprake, shkak i aksidentit mund të ketë qenë përgjumja e drejtuesit të mjetit ose një problem shëndetësor i papritur, por grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet e plota të ngjarjes.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë nisur hetimet dhe po kryejnë veprimet procedurale për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Lini një koment