Policia dyshon se pakoja e dyshimtë në Prishtinë u lëshua nga ajri
Ky është zhvillimi i ri në rastin e mjetit të dyshimtë të gjetur sot në Prishtinë: Policia e Kosovës ka njoftuar se dyshon se pakoja e dyshimtë është lëshuar nga ajri.
Në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë, pasditen e sotme rreth orës 17:00 është gjetur një mjet i dyshimtë. Menjëherë pas marrjes së informatës, njësitet policore relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë masat e menjëhershme të sigurisë, duke evakuuar qytetarët dhe duke vendosur perimetrin e sigurisë, siç njofton Klan Kosova.
“Në vendngjarje ka dalë edhe Njësiti për Trajtimin e Mjeteve të Improvizuara Eksploduese, i cili është marrë me trajtimin profesional, të sigurt dhe të kontrolluar të mjetit të dyshuar (i cili dyshohet se është lëshuar nga ajri), duke evituar çdo rrezik të mundshëm për qytetarët dhe banorët e asaj zone”, thuhet në një njoftim shtesë për media të Policisë së Kosovës.
Policia shton se për mjetin e dyshuar do të vazhdojnë ekzaminimet e mëtejme si dhe zbardhja e rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe vigjilencën e treguar, si dhe i fton ata që për çdo rast apo informacion lidhur me mjete të dyshuara ta raportojnë menjëherë në numrin emergjent 192 ose përmes aplikacionit digjital të Policisë.