Policia e Shtetit dhe policia britanike thellojnë bashkëpunimin kundër krimit të organizuar
Policia e Shtetit dhe policia britanike do ta thellojnë bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, priti në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme koordinatorin e policive britanike për Ballkanin Perëndimor, Nick Bellingham, i cili drejton portofolin e 43 policive britanike për rajonin, dhe delegacionin që e shoqëronte, siç njofton Policia e Shtetit.
Në takim morën pjesë edhe drejtorët e departamenteve të Policisë Kriminale dhe të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, si dhe drejtori i Institutit të Policisë Shkencore. Sipas njoftimit, takimi synoi konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, me efekte në disa aspekte të rëndësishme të punës policore.
Hita falënderoi Bellingham dhe delegacionin për gatishmërinë e agjencive ligjzbatuese britanike për të bashkërenduar punën me strukturat shqiptare. Si tregues konkret të këtij bashkëpunimi ai përmendi Task-Forcën e përbashkët kundër migracionit të paligjshëm, e kthyer në një model ndërinstitucional me ulje drastike të rasteve dhe goditje ndaj krimit të organizuar, si dhe ekspertizën dhe asistencën e ndërsjellë me Policinë Shkencore, që kanë forcuar kapacitetet hetimore dhe provueshmërinë ligjore.
Nga ana e tij, Bellingham e vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit si një model të suksesshëm bashkëpunimi ndërkombëtar, vlerësoi profesionalizmin e saj dhe shprehu gatishmërinë për ta çuar më tej këtë partneritet.
Dy palët ranë dakord të intensifikojnë bashkëpunimin, me fokus shtimin e ekipeve të përbashkëta hetimore për goditjen e krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, specializimin e mëtejshëm të strukturave shqiptare në krimin kibernetik dhe pastrimin e parave përmes trajnimeve dhe ekspertizës britanike, si dhe asistencën teknike e profesionale për përfundimin e procesit të akreditimit të Institutit të Policisë Shkencore. Në takim u vlerësua edhe roli i oficerëve të kontaktit në koordinimin operacional ndërmjet dy policive.