Policia kallëzon penalisht KEK-un dhe pesë zyrtarë për vdekjen e punëtorit Haxhi Gojnovci
Policia e Kosovës ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) si person juridik dhe ndaj pesë zyrtarëve të saj, lidhur me vdekjen e punëtorit Haxhi Gojnovci, siç raporton Shenjester.
Sipas dokumenteve të kallëzimit penal që ka siguruar Shenjester nga burime brenda prokurorisë, vdekja dyshohet se erdhi si pasojë e mungesës dhe mosvendosjes së pajisjeve mbrojtëse në eskavatorin ER-4B.
Të kallëzuarit janë Abedin Syla, Menaxher i Departamentit të Mirëmbajtjes; Gani Thaçi, u.d. i Menaxherit të Departamentit të Qymyrit; Sabri Ternava, u.d. i Drejtorit Ekzekutiv në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit; Arsim Sogojeva, Drejtor Operativ i Prodhimit të Qymyrit; dhe Arsim Krasniqi, ish-ushtrues detyre i Drejtorit Ekzekutiv të Prodhimit të Qymyrit. Ata dyshohen për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Zyrtarja për Komunikim Publik e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, konfirmoi se lënda është pranuar. Prokuroria është në fazën e shqyrtimit dhe analizimit të shkresave dhe për momentin nuk jep informacione të tjera.
KEK-u, në përgjigjen e tij, tha se deri më tani nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar, kallëzim penal apo aktvendim nga institucionet kompetente dhe se do të prononcohet pasi të ketë informacion të verifikuar dhe dokumentacionin zyrtar. Vdekja e punëtorit të KEK-ut në gusht kishte nxitur reagime politike dhe kërkesa për hetim e përgjegjësi.