“Pres dokumentet”- Berisha thotë se do shkojë në SHBA më 9 shtator: Kam dy ftesa, do marrë pjesë në konferencën e Re
Nëse dokumentet nuk i vijnë të aprovuara nga administrata e SHBA-ve, atëherë vizita e parashikuar e kryedemokratit Sali Berisha mund të mos realizohet.
Në një bashkëbisedim me ndjekësit në rrjetet sociale sot (29 gusht), kryetari i PD Sali Berisha u pyet lidhur me vizitën e tij në SHBA që pritet të realizojë më 9 shtator.
Berisha hodhi poshtë pretendimet se është lajm i pavërtetë, duke thënë se do shkojë të marrë pjesë në konferencën e Partisë Republikane në Teksas.
“Tani, që të jem i hapur, unë ju kam qenë në fillim kur jam pyetur, kam deklaruar se do shkoj në ndonjë konferencë. Në këtë kuadër, Partia Republikane Amerikane zhvillon në Teksas konferencën për zgjedhjet e mid-term, që i quajnë ata zgjedhjet në mes të mandatit. Dhe Unioni Demokrat Ndërkombëtar, në të cilin Partia Republikane ka peshën më kryesore, se është partia më e madhe me të gjitha ato, ka krijuar një delegacion me kryetarët e rreth 30 partive të këtij unioni për të marrë pjesë në konferencën në Teksas”, tha ai.
Por sqaroi se pret dokumentet që të mundësohet më pas udhëtimi përtej Atlantikut.
“Por përveç kësaj ftese në përbërje të delegacionit, unë kam dhe një ftesë tjetër nga një institut amerikan që ka lidhje me këtë konferencë. Kështu që unë pres dokumentet dhe do marrë pjesë. Përsa i përket takimeve, nuk kam fiksuar, por shpresoj që të fiksoj gjatë ditëve të ardhshme”.