Presidenti Begaj në Poloni për 70-vjetorin e Kryengritjes së Poznańit, Nawrocki rikonfirmon mbështetjen për integrimin e Shqipërisë
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë sot në ceremoninë përkujtimore të 70-vjetorit të Kryengritjes së Poznańit të vitit 1956, një nga ngjarjet më historike të rezistencës antikomuniste në Evropën Qendrore dhe Lindore. Vizita u zhvillua me ftesë të Presidentit të Polonisë, Karol Nawrocki.
Gjatë kësaj ceremonie, krerët e shteteve të pranishëm miratuan një deklaratë të përbashkët përmes së cilës riafirmuan angazhimin e tyre për ruajtjen e kujtesës historike, mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe të drejtës së kombeve për vetëvendosje.
Takimi kokë më kokë dhe integrimi në BE si domosdoshmëri gjeopolitike
Në margjinat e këtij aktiviteti, Presidenti Begaj zhvilloi një takim dypalësh me homologun e tij polak, Karol Nawrocki. Sipas njoftimit zyrtar nga Presidenca, Begaj shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e palëkundur që Varshava i ka ofruar Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt familjes evropiane.
Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi lart rolin udhëheqës të Polonisë brenda bllokut europian, duke theksuar rëndësinë e lobimit të saj për rajonin tonë:
“Integrimi i Shqipërisë dhe i Ballkanit Perëndimor përbën një domosdoshmëri gjeopolitike për një Evropë më të sigurt, më të bashkuar dhe më të plotë,” nënvizoi Presidenti Begaj, duke shtuar se përvoja polake e transformimit demokratik dhe zhvillimit ekonomik shërben si një model frymëzues.
Ekspertiza polake në ndihmë të institucioneve shqiptare
Në njoftimin për shtyp evidentohet gjithashtu ndihma konkrete që Polonia po jep në nivel teknik, veçanërisht në procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian:
“Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu ndihmën konkrete që Polonia ka ofruar për institucionet shqiptare përmes shkëmbimit të ekspertizës në procesin e përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian.”
Nga ana e tij, Presidenti polak Karol Nawrocki rikonfirmoi se vendi i tij do të mbetet një zë i fuqishëm pro perspektivës evropiane të Shqipërisë. Ai shprehu gatishmërinë e plotë të Varshavës për të thelluar bashkëpunimin dypalësh dhe për të forcuar partneritetin politik e ekonomik në interes të qytetarëve të të dy vendeve.