Presidenti Duka pas shortit të EURO U-21 2027: Uroj ta kalojmë grupin
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka komentuar shortin e fazës finale të Kampionatit Europian U-21 2027, ku Shqipëria u pozicionua në Grupin B së bashku me Spanjën, Italinë dhe Finlandën.
Në një prononcim për fshf.org pas ceremonisë së shortit, Presidenti Duka u shpreh i lumtur për këtë moment historik për Shqipërinë U-21, që do të marrë pjesë për herë të parë në një Kampionat Europian. Ai theksoi se Shqipëria do të jetë plotësisht e përgatitur për të mirëpritur skuadrat pjesëmarrëse, duke garantuar kushte shumë të mira sportive dhe mikpritjen shqiptare.
Duke folur për kundërshtarët e kuqezinjve në Grupin B, Presidenti Duka vlerësoi nivelin e lartë të skuadrave pjesëmarrëse, ndërsa shprehu besimin te ekipi i drejtuar nga Alban Bushi dhe mbështetja e tifozëve shqiptarë për të synuar kalimin e grupit.
“E para, jam vërtet shumë i lumtur që jam sot në këtë short për Shqipërinë U-21 për herë të parë në një Kampionat Europian, pavarësisht se si vend organizator. Një event fantastik, i organizuar shumë mirë, që do t’i hapë rrugën edhe një organizimi shumë të mirë të Kampionatit Europian.
I uroj të gjitha skuadrave që do të vijnë të luajnë në Shqipëri, i garantoj ata që do të gjejnë çdo gjë gati, çdo gjë të përshtatshme nga pikëpamja sportive, por do të shijojnë edhe mikpritjen shqiptare dhe do të jenë shumë të lumtur që ishin pjesë e këtij Europiani në Shqipëri.
Nga pikëpamja sportive, e kam thënë edhe para shortit që nuk mund të thuash se kë dëshiron, apo kush është skuadra më e mirë, sepse këtu janë 16 skuadra shumë të mira, nivel shumë i lartë sportiv, por jam shumë i lumtur që ne do të presim në Tiranë Spanjën, Italinë dhe Finlandën për t’u përballur me to. Padyshim që do të bëjmë më të mirën tonë.
Ne kemi një ekip të mirë, një ekip kompakt, kemi një staf të mirë, një trajner të mirë dhe aq më shumë kemi tifozët tanë që do të na mbështesin dhe uroj që ta kalojmë grupin për të shkuar më lart. Gjithashtu edhe grupi tjetër D që do të vijë në Shqipëri, ka ekipe që vërtet tifozeria shqiptare ka dëshirë që t’i shohë në shkallët e stadiumit.
Nuk më mbetet gjë tjetër veçse të uroj një Kampionat sa më të mbarë në qershor dhe finalen sa më fantastike në “Arenën Kombëtare” në Tiranë. I ftoj të gjithë shqiptarët që ta ndjekin dhe të mos e humbin këtë rast vërtet të rrallë për Shqipërinë”, – tha Presidenti Duka.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.