Procedohen penalisht 2 administratorët e një lokali në Tiranë për muzikë të lartë
Dy administratorët e një lokali në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, pasi në lokalin e tyre gjenerohej vazhdimisht muzikë me zë të lartë që prishte qetësinë publike, siç njofton Policia e Shtetit.
Sipas Policisë, pas ankesave të disa qytetarëve, banorë të zonës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 shkuan në subjektin e sinjalizuar, ku konstatuan paligjshmërinë dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi për veprën penale “Prishja e qetësisë publike” për administratorët e subjektit, shtetasit K. H., 39 vjeç dhe J. B., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë sekuestruan boksët dhe impiantin muzikor, bashkë me aksesorët e tyre, nëpërmjet të cilëve gjenerohej muzika.
Policia bën me dije se kontrollet dhe verifikimet do të vijojnë në të gjithë kryeqytetin, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Tiranës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton që të vijojnë të adresojnë në Polici çdo paligjshmëri dhe shqetësim, duke garantuar se reagimi do të jetë i menjëhershëm dhe në zbatim të plotë të ligjit.