Tuesday, 30 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperia“Procesi nuk është ende gati”, KLP shtyn hapjen e garës për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm

“Procesi nuk është ende gati”, KLP shtyn hapjen e garës për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm

Në kohën kur po lakohen disa kandidatura që pritet të konkurrojnë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk ishte gati të çelte garën.

Ndonëse e kishte caktuar në rendin e ditës të diskutonte dhe miratonte hapjen e procedurave, mbledhja u shty me dakordësinë e të gjithë anëtarëve. Siç bëjnë me dije burimet e TCH, anëtarët kanë kërkuar më shumë kohë për të diskutuar rreth procedurave që do të ndiqen me publikimin e thirrjes për garën, një kërkesë që është aprovuar edhe nga ndërkombëtarët e pranishëm në sallë.

Sipas ligjit, brenda 30 ditëve nga hapja e garës kandidatët dorëzojnë jetëshkrimin dhe shfaqin interes pranë KLP, dhe më tej qeveria e prokurorisë kryen kontrollet. Por anëtarët janë të paqartë se si do t’i kryejnë kontrollin pasuror dhe të figurës së kandidatëve kur procesit të vettingut i përfundoi mandati në qershor dhe ndërkohë që ndryshimet e 2026 në ligjin për statusin kanë krijuar disbalancë. Për këto dilema, nëse duhet ndryshuar apo jo rregullorja e garës, anëtarët e kanë parë të domosdoshëm studimin e akteve ligjore, për të krahasuar se sa kanë ndryshuar rrethanat ligjore nga koha kur, shtatë vjet më parë, Olsian Çela konkurroi dhe u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm, kontrolli i pretendentëve u realizua sipas ligjit të rivlerësimit.

Olsian Çela është prokurori i parë që, sipas ligjeve të reformës në drejtësi, mori mandatin 7-vjeçar të drejtimit të akuzës. Më herët ai ishte prokuror te Krimet e Rënda, që u mbyllën për t’ia lënë vendin në 2019 Prokurorisë së Posaçme, apo SPAK-ut.

Burimet i thanë gazetares së Top Channel, Anila Hoxha se anëtarët do ta ridiskutojnë çështjen këtë të enjte. Ndërkohë që, jo zyrtarisht, bëhet me dije se emrat e përfolur deri më tani, që pritet të shfaqin ambicie për Prokuror të Përgjithshëm, janë prokurorja Rovena Zoto, prokurore në kryeqytet, Ylli Pjetërnikaj, prokuror në kryeqytet dhe profesor në Shkollën e Magjistraturës, dhe Pranvera Pustina, drejtore e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme.

Lini një koment