Projektbuxheti 2027/ 114.6 miliardë lekë për pushtetin vendor, Demo: Fokus te digjitalizimi dhe reforma territoriale
Projektbuxheti i vitit 2027 parashikon 114.6 miliardë lekë për pushtetin vendor, me një rritje prej 2.4% krahasuar me vitin e kaluar. Gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, u ndal te financimi i bashkive, duke theksuar se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet digjitalizimit të shërbimeve vendore, forcimit të kapaciteteve administrative dhe përgatitjes për zbatimin e reformës territoriale.
Sipas të dhënave të projektbuxhetit, transferta e pakushtëzuar e përgjithshme parashikohet në 29.3 miliardë lekë, me rritje 5.2%, ndërsa transferta e pakushtëzuar sektoriale në 19.9 miliardë lekë, me rritje 2.4%.
“Ne shumë shpejt do të kemi një risi shumë të madhe për sa i përket shërbimeve vendore dhe mënyrës se si qytetari ndërvepron me bashkitë në vend”, tha ai.
Një tjetër projekt i përmendur nga ministri është sistemi AFMIS, i financuar nga Banka Botërore, i cili synon përmirësimin e planifikimit dhe monitorimit financiar të njësive vendore.
Përmes tij parashikohet krijimi i një paneli informues që do të mundësojë ndjekjen në kohë reale të situatës financiare në çdo bashki.
Demo u ndal gjithashtu te roli i Akademisë së Pushtetit Vendor dhe mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë për forcimin e kapaciteteve të administratave lokale gjatë tranzicionit të reformës territoriale.
Ministri theksoi se viti 2027 do të jetë një vit tranzicioni për bashkitë e reja, ndërsa përgatitjet financiare dhe administrative do të synojnë konsolidimin e tyre dhe hartimin e planeve për vitin 2028.
Demo iu përgjigj edhe diskutimeve për pagat dhe trajtimin e punonjësve të Policisë së Shtetit. Ai deklaroi se rritja e pagave synon përmirësimin e kushteve financiare të efektivëve, por edhe rritjen e përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit në ushtrimin e detyrës.
Duke folur për rastet e pretenduara të shkeljeve gjatë protestave, Demo tha se e drejta për protestë paqësore duhet garantuar, por nuk mund të justifikojë aktet e dhunës ndaj punonjësve të policisë, institucioneve apo pronës private.
“Ne jemi të hapur kundrejt çdo hetimi dhe, në të njëjtën kohë, jemi po aq të vendosur që t’i shkojmë në fund të gjitha rasteve të ushtrimit të dhunës ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit apo institucioneve. Ky është standardi”, tha Demo.
Sipas ministrit, aktualisht janë 9 punonjës policie të pezulluar për raste specifike, ndërsa rreth 50 raste janë nën hetim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Ai bëri të ditur se AMP dhe Policia e Shtetit po bashkëpunojnë me Prokurorinë për rastet e referuara.