Projektbuxheti 2027, Komisioni i Sigurisë shqyrton fondet për Gardën, AISM-në dhe AMSEVP-në
Nën drejtimin e kryetarit Bledar Çuçi, Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes zhvilloi tre seanca dëgjimore në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2027 me përfaqësuesit e Gardës së Republikës, Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (AISM), si dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP).
Në pjesën e parë të mbledhjes, Komandanti i Gardës së Republikës, Simon Zareci, bëri argumentimin e kërkesave finansiare të institucionit që drejton, duke vënë theksin te rritja e kapaciteteve operacionale.
“Buxheti i institucionit për vitin 2027 është 2,84 miliardë lekë ose rritje 2,6% krahasuar me vitin 2026,” tha Zareci, duke sqaruar se kjo mbështetje financiar “garanton mbulimin e shpenzimeve të personelit, pagat, orët shtesë dhe veshje të personelit, pajisjen e sistemit të teknologjisë, blerje dhe materiale të tjera të nevojshme për mirëfunksionimin e institucionit.”
Gjatë diskutimit, relatori i çështjes, Agron Malaj, vlerësoi rritjen pozitive por ngriti shqetësimin për trajtimin e pagave në krahasim me sektorët e tjerë të sigurisë.
“Megjithëse rritja pozitive gati 3% e buxhetit të 2027 për Gardën e Republikës, për vlerësimin e mjaftueshmërisë së financimit duhet marrë në konsideratë nevojat për modernizimin e kapaciteteve operacionale dhe përgjegjësitë e shtuara që priten gjatë vitit 2027,” nënvizoi relatori Malaj, duke vënë theksin veçanërisht te “mosparashikimi për rritjen e pagave të punonjësve të Gardës sikundër i është parashikuar rritje punonjësve të Policisë.”
Seanca dëgjimore vijoi me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (AISM), ku Drejtori i agjencisë, Kolonel Xhevahir Gërxhaliu, paraqiti projeksionet buxhetore dhe prioritetet e institucionit.
“Prioriteti ynë për vitin 2027 është rritja e efektivitetit dhe kapacitetit të institucionit, modernizimi i metodave dhe instrumenteve të punës, forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe thellimi i bashkëpunimit me strukturat homologe aleate,” u shpreh Kol. Gërxhaliu. Ai sqaroi se rritja prej 17% e buxhetit bazë “do të shkojë kryesisht për trajtimin e personelit ku përfshihet dhe trajtimi për kushte të veçanta të punës, projekte për modernizimin”, si dhe realizimin e dy projekteve ambicioze investuese.
Në seancën e tretë, Drejtori i Përgjithshëm i AMSEVP-së, Eduart Merkaj, arsyetoi kërkesën për zgjerimin e infrastrukturës dhe bazës buxhetore të agjencisë, nisur nga rritja e përgjegjësive ligjore.
“Kjo agjenci ushtron mbikëqyrjen duke vlerësuar dhe propozuar që struktura e re të përbëhet nga 131 punonjës nga 70 që ka aktualisht, strukturë kjo e cila do të jetë e organizuar në nivel qendror dhe vendor territorial,” deklaroi Merkaj, duke plotësuar se “zgjerimi i strukturës organizative të agjencisë shoqërohet edhe me shtim të veprimtarisë dhe për rrjedhojë edhe planifikim të buxhetit të institucionit në varësi të kësaj strukture të re.”
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.