Projektligji për sponsorizimet, vendosen menjëherë disa përjashtime
Bizneset që sponsorizojnë aktivitete në sport, kulturë dhe art do të mund të përfitojnë lehtësi fiskale deri në 30% të tatim-fitimit të paguar, sipas projektligjit “Për donacionet dhe sponsorizimet”, të shqyrtuar në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet.
Projektligji synon të nxisë financimin privat të veprimtarive me interes publik, duke vendosur njëkohësisht rregulla të reja për transparencën dhe parandalimin e konfliktit të interesit.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se mekanizmi i ri fiskal parashikohet të nisë zbatimin në vitin 2027, me efekt në përllogaritjet tatimore të vitit 2028. Lehtësia do të ketë një kufi maksimal prej 30 milionë lekësh në vit për çdo sponsor dhe një tavan kombëtar prej 2 miliardë lekësh.
“Me këtë projektligj bëjmë një kapërcim konceptual, kalojmë nga modeli i bamirësisë së izoluar drejt një partneriteti strategjik ndërmjet shtetit, biznesit dhe shoqërisë, ku krijohet vlerë e përbashkët ekonomike dhe sociale. Buxheti i shtetit mbetet një instrument themelor, por fondet publike dhe thirrjet vjetore nuk janë më burimi i vetëm për të mbuluar nevojat dhe ambiciet për zhvillim”, u shpreh ministri Gonxhja.
Ministri theksoi se një tjetër risi e projektligjit është mundësia që bizneset të mbështesin drejtpërdrejt sportistët dhe artistët që përfaqësojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Ministrja për Administratën Publike, Adea Pirdeni, theksoi se projektligji, i dakordësuar nen për nen me Komisionin Evropian, është pjesë e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE, veçanërisht për Kapitullin 23.
Sipas saj, nisma zëvendëson kuadrin ligjor të vitit 1994 dhe vendos rregulla të unifikuara për pranimin dhe administrimin e donacioneve dhe sponsorizimeve. Një nga risitë kryesore është krijimi i Regjistrit Elektronik Kombëtar të Sponsorizimeve, që do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe ku do të regjistrohet çdo sponsorizim, pavarësisht vlerës.
Projektligji detyron institucionet publike të bëjnë transparente të dhënat mbi donatorët, vlerën dhe qëllimin e kontributeve. Kontratat e sponsorizimit duhet të publikohen brenda dhjetë ditëve nga nënshkrimi, ndërsa pas përfundimit të tyre do të bëhet publik edhe raporti mbi përdorimin e fondeve.
Për të parandaluar konfliktin e interesit dhe ndikimet e papërshtatshme në vendimmarrjen publike, projektligji ndalon pranimin e donacioneve dhe sponsorizimeve nga organet e drejtësisë, Policia e Shtetit dhe institucione të caktuara me kompetenca kontrolli e mbikëqyrjeje. Gjithashtu, nga e drejta për të qenë donatorë apo sponsorizues përjashtohen personat e dënuar për korrupsion, pastrim parash dhe vepra të tjera të përcaktuara në projektligj, si dhe subjektet ndaj të cilave zbatohen masa shtrënguese ndërkombëtare. Ndalohen edhe kontributet anonime, ndërsa çdo kontribut financiar duhet të kryhet përmes sistemit bankar.
Ministrja Pirdeni theksoi se këto masa synojnë forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe integritetit të institucioneve publike, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe angazhimet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit.