Vllaznia fituese nuk preket, Laszlo dhe 11-shja e formacionit anti-Partizan
Përballë Partizanit, Vllaznia duket se do të vijojë me të njëjtën bazë që i dha fitoren e fundit ndaj Elbasanit. Trajneri Csaba Laszlo është i bindur se “formacioni fitues nuk ndryshohet”, por në këtë rast bëhet fjalë edhe për një zgjedhje të mbështetur te paraqitja e futbollistëve në suksesin 1-0.
Kuqeblutë zhvilluan një ndeshje pozitive dhe hungarezi duket se nuk ka arsye të ndërhyjë në mënyrë të ndjeshme në formacion. Në portë, nga ajo që është parë gjatë seancave të fundit stërvitore, pritet të vijojë Jukaj. Portieri shkodran duket se ka fituar besimin e stafit teknik dhe do të ketë sërish përgjegjësinë për të mbrojtur kuadratin kuqeblu. Në prapavijë, ndërkohë, gjithçka pritet të mbetet e pandryshuar, me Bardhin, Gurishtën, Mustën dhe Avdulin që formuan repartin mbrojtës në sfidën e fundit.
Një element që tashmë shton konkurencën në këtë repart është edhe Hadroji. Mbrojtësi ka treguar se mund të jetë një alternativë me vlerë për Laszlon, sidomos duke pasur parasysh formën fizike dhe nivelin që ka shfaqur në daljet e fundit. Megjithatë, përballë Partizanit ai duket se do ta nisë ndeshjen nga stoli, me trajnerin që pritet t’u besojë sërish katërshes së përdorur ndaj Elbasanit. Edhe në mesfushë pritet të ketë vazhdimësi.
Marku, Dros dhe Obina janë tre emrat që duket se kanë fituar avantazhin për të qenë titullarë edhe këtë fundjavë. Të tre dhanë sinjale pozitive në ndeshjen e fundit dhe Laszlo kërkon të ruajë një bosht që funksionoi mirë. Gjithsesi, deri në momentin e fundit nuk përjashtohet ndonjë lëvizje, duke pasur parasysh rivalitetin që ekziston në këtë repart. Në repartin ofensiv, ndërkohë, Balaj duket i paprekshëm në majën e sulmit.
Kapiteni vazhdon të jetë pika kryesore e referimit për kuqeblutë dhe pritet të udhëheqë sërish vijën e parë. Në krahë, Uldedaj dhe Murataj janë dy alternativat që kanë krijuar më shumë bindje te stafi teknik dhe pritet të ruajnë vendet në formacion. Kështu, në prag të përballjes me Partizanin, Laszlo duket se po i qëndron besnik parimit të tij për të mos ndryshuar një formacion që vjen pas një fitoreje dhe një paraqitjeje të kënaqshme.
Vllaznia do të kërkojë këtë herë edhe fitoren e parë jashtë Shkodrës për këtë sezon, ndërsa trajneri hungarez shpreson që të njëjtët futbollistë të përsërisin nivelin e treguar ndaj Elbasanit. Megjithatë, fjala e fundit do të jetë sërish e tij, deri në momentin kur të dorëzojë formacionin zyrtar, me kuqeblutë që do të udhëtojnë drejt kryeqytetit për të kërkuar një fitore në transfertë, e cila mungon që prej datës 4 prill, kur triumfonin 0-2 pikërisht kundër Partizanit.