Thursday, 1 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Prokurorët kundërshtojnë ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale: Rrezikojnë hetimet dhe luftën ndaj korrupsionit

Prokurorët kundërshtojnë ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale: Rrezikojnë hetimet dhe luftën ndaj korrupsionit

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka dalë kundër një pjese të ndryshimeve të propozuara nga qeveria në Kodin e Procedurës Penale, duke paralajmëruar se disa prej ndërhyrjeve mund të dëmtojnë efektivitetin e hetimeve.

Në një qëndrim zyrtar, prokurorët shprehen se e mbështesin në parim reformimin e legjislacionit dhe përafrimin e tij me standardet europiane, por kërkojnë që ndryshimet të bazohen në analiza të plota dhe në një proces real konsultimi.

Sipas Shoqatës, projektligji rrezikon të “fragmentojë kompetencat” mes subjekteve procedurale dhe të ngadalësojë zbulimin e veprave penale, veçanërisht në hetimet për korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me kufizimin e mjeteve hetimore të prokurorit, përfshirë sekuestrimet, kontrollet, përgjimet dhe administrimin e provave. Prokurorët argumentojnë se, duke qenë se prokurori është magjistrat dhe drejton hetimin, vendosja e barrierave të shumta procedurale mund të krijojë vonesa dhe të cenojë efektivitetin e hetimeve.

Shoqata kundërshton veçanërisht detyrimin që sekuestrimet të kalojnë paraprakisht përmes gjykatës, duke argumentuar se edhe në sistemin aktual personi ndaj të cilit merret masa ka të drejtën e ankimit gjyqësor.

Kritika ka edhe për detyrimin për t’i vënë në dispozicion personit nën hetim apo të pandehurit të gjitha provat që lidhen me procedimin që në fazat e hershme. Sipas prokurorëve, kjo mund të cenojë sekretin hetimor dhe të rrezikojë hetimet, sidomos në çështjet e korrupsionit, krimit të organizuar dhe hetimeve proaktive.

Një tjetër pikë e kundërshtuar është kufizimi i mundësisë për zgjerimin e hetimit kur gjatë tij zbulohen vepra të reja penale të lidhura me çështjen fillestare. Shoqata paralajmëron se ndarja e procedimeve në raste të tilla mund të dëmtojë hetimin dhe zbulimin e së vërtetës.

Prokurorët shprehen gjithashtu kundër kufizimeve të propozuara për masat e sigurimit personal, duke argumentuar se ato mund të vështirësojnë parandalimin e arratisjes, prishjes së provave apo përsëritjes së veprave penale.

Në qëndrimin e tyre, ata kërkojnë gjithashtu rishikimin e dispozitave që parashikojnë papërdorshmëri të provave apo pavlefshmëri aktesh për shkelje procedurale, duke argumentuar se këto pasoja nuk duhet të jenë automatike për çdo shkelje formale.

Shoqata kërkon transparencë mbi mënyrën se si është hartuar nisma dhe publikimin e analizave e studimeve që kanë shërbyer si bazë për ndryshimet. Po ashtu, kërkohet një proces konsultimi me institucionet e drejtësisë, magjistratët, avokatinë, akademinë dhe shoqërinë civile.

Në përfundim, Shoqata e Prokurorëve deklaron se mbështet një sistem procedural penal modern dhe europian, por kërkon që reforma të mos cenojë funksionimin efektiv të hetimeve, sigurinë juridike dhe ekuilibrin kushtetues mes institucioneve.

Lini një koment