Prokuroria e Gjirokastrës sekuestron 2 apartamente në Sarandë dhe një automjet
Prokuroria e Gjirokastrës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq një shtetas të dyshuar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Gjatë hetimeve janë sekuestruar disa pasuri që dyshohet se i përkasin shtetasit A.B., konkretisht: një apartament me sipërfaqe 66.8 m² në rrugën “1 Maji”, Sarandë; një apartament me sipërfaqe 160.7 m² në të njëjtën zonë; si dhe një automjet “Mercedes Benz”.
Sipas prokurorisë, nga hetimet e procedimit penal nr. 13 të vitit 2022, rezulton se shtetasi A.B. ka përfituar pasuri nga veprimtari të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar.
Ai dyshohet se ka investuar në pasuri të paluajtshme në Sarandë dhe ka përdorur automjetin për aktivitet transporti, duke kryer veprime financiare për shmangie nga raportimi sipas ligjit për parandalimin e pastrimit të parave.