E diel, 15 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Prokuroria nuk pranon pafajësinë e Luiz Ejllit, bën rekurs në Gjykatën e Lartë

Prokuroria nuk pranon pafajësinë e Luiz Ejllit, bën rekurs në Gjykatën e Lartë

Çështja gjyqësore ndaj këngëtarit Luiz Ejlli nuk është mbyllur. Edhe pse një vit më parë ai u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit, Prokuroria e ka kundërshtuar vendimin, duke paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë, siç njofton Shqiptarja.com. Çështja pritet të shqyrtohet më 24 nëntor dhe relator është caktuar gjyqtari Sokol Binaj.

Ejlli u akuzua për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, të kryer në bashkëpunim. Sipas Prokurorisë, gjatë periudhës kur kishte humbur licencën e noterit, ai kishte përdorur vulën noteriale për të hartuar një deklaratë që justifikonte burimin e një shume prej 210 mijë eurosh, në favor të shtetasit Fatmir Avdurramani.

Më 2 tetor 2024, Gjykata e Shkallës së Parë në Fier e shpalli fajtor Ejllin dhe e dënoi me një vit burgim, ndërsa bashkëpandehuri i tij, Fatmir Avdurramani, u dënua me 18 muaj burgim.

Por më 8 maj 2025, Gjykata e Apelit në Tiranë ndryshoi vendimin e shkallës së parë, duke shpallur të pafajshëm të dy të pandehurit. Prokuroria e Apelit depozitoi rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar shqyrtimin e vendimit të pafajësisë, ndaj fjala e fundit për çështjen do të jetë e gjykatës më të lartë të vendit.

Lini një koment