Protestat, Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit: Mbroni mediat, policia të mos pengojë gazetarët të bëjnë detyrën
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, përmes një deklarate ka shprehur shqetësimin lidhur me sulmet që u janë bërë gazetarëve në këto ditë protestash.
Sipas shifrave të publikuara, thuhet se janë konstatuar të paktën 25 raste sulmesh ndaj gazetarëve.
ECPMF, me qendër në Leipzig të Gjermanisë, dënon ashpër të gjitha aktet e dhunës, frikësimit dhe pengimit që synojnë profesionistët e medias.
Duke iu referuar shifrave të dhëna nga AGSH në Shqipëri, Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias thotë se shumica e incidenteve kanë pasur si protagonist efektivë policie që kanë penguar gazetarët të bëjnë detyrën e tyre.
Ata i bëjnë thirrje drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit, Skëndër Hita të angazhohet urgjentisht në dialog me Shoqatën e Gazetarëve të Shqipërisë dhe organizata të tjera mediatike për të krijuar dhe zbatuar protokolle të menjëhershme sigurie për gazetarët që mbulojnë demonstratat dhe ngjarjet e tjera publike.