“Protestat shenjë demokracie”, Rama për BBC: PS nuk do të kontribuojë vetëm me reforma, por duke i dhënë lëk
Protestat në Shqipëri janë shenjë e një shoqërie të shëndetshme dhe demokratike, deklaroi kryeministri Edi Rama për median britanike BBC, në një intervistë ku ai foli për tubimet në vend dhe zhvillimet e fundit politike.
I pyetur nëse qytetarët duhet të shqetësohen për integritetin e tij dhe të qeverisë, Rama theksoi rëndësinë e pavarësisë së drejtësisë si garanci për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe llogaridhënien institucionale.
“E kam thënë që nga dita e parë: dua një drejtësi që nuk duket majtas, nuk duket djathtas, por duket drejt. Një drejtësi që nuk mund të blihet, nuk mund të ushtrohet presion dhe nuk mund të kontrollohet nga distanca”, ka thënë kreu i qeverisë.
Rama shtoi gjithashtu se reforma në drejtësi është një nga kontributet më të rëndësishme të Partisë Socialiste për vendin.
“Ky është kontributi më i madh që Partia Socialiste do t’i japë këtij vendi, sepse nuk do të kontribuojë vetëm duke bërë reforma, por duke i dhënë lëkurën e vet vendit”, u shpreh Kryeministri.
Në artikullin kushtuar protestave, BBC thekson se tubimi, i cili nisi për natyrën, përfundoi në shprehjen e pakënaqësive të akumuluara për sistemin arsimor, shëndetësore, pagat dhe koston e jetesës.