Protestë e shqiptarëve në Troy, Michigan në mbështetje të protestuesve në Shqipëri
TROY, MICHIGAN – Rreth 150 shqiptarë u mblodhën sot në Troy, Michigan, në një protestë qytetare në mbështetje të protestuesve në Shqipëri. Sipas një njoftimi të publikuar në Facebook nga aktivisti Valentin Lumaj, shumica e pjesëmarrësve ishin të rinj dhe studentë shqiptaro-amerikanë, të cilët organizuan dhe drejtuan të gjithë aktivitetin.
Protesta nisi me këndimin e Himnit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Himnit Kombëtar Shqiptar. Më pas, studentë dhe pjesëmarrës të ndryshëm morën fjalën për të shprehur shqetësimet e tyre për korrupsionin, mungesën e transparencës dhe gjendjen politike e ekonomike në Shqipëri.
Organizatorët theksuan se protesta nuk ishte e lidhur me asnjë parti politike, por ishte një iniciativë qytetare e komunitetit shqiptar në Michigan. Gjatë aktivitetit u shprehën kritika si ndaj qeverisë, ashtu edhe ndaj opozitës, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan ndryshime në mënyrën e qeverisjes së vendit.
Sheshi u mbush me flamuj kuqezi dhe pankarta me mesazhe që kërkonin luftë kundër korrupsionit, mbrojtjen e pasurive kombëtare, transparencë në vendimmarrje dhe më shumë përgjegjësi nga klasa politike.
Një pjesë e madhe e mesazheve u përqendruan te kërkesa për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama. Protestuesit kërkuan më shumë transparencë dhe llogaridhënie në lidhje me projektet e mëdha që po zhvillohen në Shqipëri.
Pjesëmarrësit theksuan se protesta nuk ishte kundër investimeve të huaja apo marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, por në mbështetje të investimeve që realizohen me transparencë dhe në interes të qytetarëve shqiptarë.
Gjatë aktivitetit u vu re pjesëmarrja e madhe e të rinjve, të cilët folën për nevojën e krijimit të më shumë mundësive në Shqipëri, në mënyrë që brezi i ri të mos detyrohet të largohet për të ndërtuar të ardhmen e tij jashtë vendit.
Në përfundim të protestës u shprehën falënderime për Valon Vuçitërnën dhe ekipin studentor që organizoi aktivitetin.
Mesazhet kryesore të protestës ishin:
🇦🇱 Shqipëria kërkon ndryshim!
🇦🇱 Shqipëria nuk është në shitje!
🇦🇱 Shqipëria është e shqiptarëve!
🇦🇱 E ardhmja i përket rinisë!