“PS nuk e mund dot askush”, Balla: Pas protestës ka aktorë të huaj dhe interesa që synojnë të dëmtojnë Shqipërinë
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, lëshoi akuza të forta ndaj opozitës gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke u ndalur te protesta e zhvilluar së fundmi, duke deklaruar se ata janë mundur politikisht.
“Shoh që gëzoni kur në protestë thirret ‘Berisha në burg’, se e shikoni si shpëtim nga Saliu. Shkoni me shpresën që ta heqë protesta Saliun. Një gjë e arriti: juve ju mundi, ndërsa ne jo. Partinë e PS-së të Shqipërisë nuk e mund dot askush. Juve ju thonë opozitë e shitur. Çdo ditë në protestë dhe çdo ditë po thyeni kockat nga PD-ja. Jeni të gatshëm të duartrokisni këdo, mjafton të jetë kundër nesh”, u shpreh Balla.
Më tej, ai pretendoi se Shqipëria është përfshirë në një luftë globale digjitale pa qenë objekt real i saj, duke shtuar se në këtë proces, sipas tij, është i përfshirë edhe regjimi iranian.
“Nuk ka asnjë dyshim, jo nga strukturat e sigurisë dhe të inteligjencës sonë, por nga ato të vendeve partnere të NATO-s, që në këtë protestë janë përfshirë dhe vijojnë të jenë të përfshirë aktorë shtetërorë malinj, së bashku me media, organizata dhe interesa të huaja. Morën pjesë mijëra mercenarë, të nxitur nga interesa të huaja konkurruese në turizëm. Interesimi ndërkombëtar nuk lidhet me Flamengon apo Zvërnecin, por me emrin e Kushner dhe Presidentin Trump. Shqipëria u përfshi në një luftë globale digjitale pa qenë objekti real i kësaj. Regjimi iranian ka qenë vetë i përfshirë, ndërsa aktorë të tjerë të huaj po kontribuojnë për të financuar këto lloj luftërash hibride“, deklaroi Balla.