E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Punimet për restaurimin e Kalasë së Rozafës, përfundon fasada e Muzeut të Kështjellës

Punimet për restaurimin e Kalasë së Rozafës, përfundon fasada e Muzeut të Kështjellës

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ndau sot foto nga punimet për restaurimin e Kalasë së Rozafës, një prej monumenteve më emblematike të trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë.

Projekti financohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), nën monitorimin e specialistëve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) dhe Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër.

Ministri Gonxhja tha se, deri më tani ka përfunduar restaurimi i fasadës së Muzeut të Kështjellës, ndërsa ndërhyrjet restauruese dhe konservuese vijojnë në muret perimetrale, kullat, kalldrëmet dhe kompleksin e Barbakanit.

Një vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe strukturave historike të zbuluara gjatë punimeve, të cilat do të konservohen për t’u ruajtur si pjesë e vlerave të monumentit.

Projekti parashikon gjithashtu restaurimin e rrugës historike që lidhte kalanë me Pazarin e Shkodrës, krijimin e hapësirave të parkimit për automjete dhe autobusë, përmirësimin e infrastrukturës turistike, si dhe ngritjen e hapësirave të dedikuara për zhvillimin e aktiviteteve kulturore.

Ndërhyrjet synojnë jo vetëm ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave historike e arkitekturore të Kalasë së Rozafës, por edhe lehtësimin në akses për vizitorët vendas dhe të huaj.

Lini një koment