Putin siguron unitet, por jo edhe marrëveshje për gazsjellësin gjatë samitit në Pekin
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, i kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh të mërkurën në Pekin, me qëllim për t’i thelluar lidhjet strategjike dhe ekonomike.
Por, Moska po kërkonte ta kthente simbolikën e samitit në përfitime konkrete në bashkëpunimin energjetik, në një kohë trazirash në tregjet globale të naftës dhe gazit si pasojë e luftës në Iran.
Megjithatë, pavarësisht premtimeve të përsëritura për miqësi dhe bashkërendim strategjik, vizita shtetërore e 20 majit përfundoi pa ndonjë përparim publik për gazsjellësin e vonuar tashmë: “Power of Siberia-2”. Ky projekt shumëmiliardësh vlerësohet nga Moska si jetik për ridrejtimin e eksporteve të gazit nga Evropa drejt Kinës pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia më 2022.
Bisedimet janë bllokuar vazhdimisht për shkak të mosmarrëveshjeve mbi çmimet, kostot e ndërtimit, vëllimet e furnizimit dhe shqetësimeve të Pekinit për t’u bërë tepër i varur nga energjia ruse.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se “parametrat bazë të mirëkuptimit” për gazsjellësin tashmë ekzistojnë, përfshirë rrugën dhe metodën e ndërtimit. Ai nuk dha më shumë hollësi dhe tha se nuk ka afat të qartë kohor për projektin, pasi “disa nuanca ende duhet të sqarohen”.
Në një deklaratë të përbashkët pas takimit thuhet vetëm se Putin dhe Xi “kanë rënë dakord të vazhdojnë thellimin e marrëdhënieve gjithëpërfshirëse të partneritetit në fushën e energjisë” dhe të “thellojnë bashkëpunimin e dobishëm për të dyja palët në fushat e naftës, gazit dhe qymyrit”.
“Rusisë i duhen të ardhurat nga tregtia shumë më tepër sesa Kinës i duhet energjia ruse”, tha për Radion Evropa e Lirë Henrik Wachtmeister, hulumtues në qendrën për Kinën në Institutin Ndërkombëtar të Suedisë.
Dy liderët nënshkruan një deklaratë të përbashkët për forcimin e mëtejshëm të “partneritetit gjithëpërfshirës dhe ndërveprimit strategjik”, si edhe një deklaratë tjetër që promovon një “rend botëror multipolar”.
Ata gjithashtu mbikëqyrën nënshkrimin e të paktën 20 marrëveshjeve shtesë që mbulojnë tregtinë, teknologjinë dhe bashkëpunimin më të gjerë.
Takimi erdhi vetëm katër ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, u largua nga Pekini pas samitit të tij me Xinë, dhe retorika nga Kina dhe Rusia shton përpjekjet e Xisë për ta pozicionuar vendin e tij si një fuqi diplomatike globale.
“Koha e kësaj vizite shkoi vërtet mirë për Pekinin”, tha për REL-in Temur Umarov, bashkëpunëtor në Qendrën Carnegie për Rusinë dhe Euroazinë në Berlin. “Kina duket si qendra e botës ku po zhvillohen takimet më të rëndësishme gjeopolitike”.