Sunday, 21 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaQëndruan në bulevard pas protestës, policia procedon penalisht 9 persona

Qëndruan në bulevard pas protestës, policia procedon penalisht 9 persona

Policia po heton në gjendje të lirë 9 persona që kanë vijuar qëndrimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pas përfundimit të protestës të së shtunës.

Sipas policisë, ata kanë penguar qarkullimin e automjeteve.

Policia thotë se pavarësisht thirrjeve për t’u larguan, protestuesit kanë refuzuar. Ata kanë qëndruar duke vendosur karrige para Kryeministrisë.

Njoftimi i policisë:

Strukturat e Policisë së Tiranës kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë 9 shtetas, të cilët, pas përfundimit të tubimit të zhvilluar më datë 20.06.2026, rreth orës 22:00, kanë vijuar qëndrimin në mënyrë të kundërligjshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke penguar qarkullimin e automjeteve dhe duke prishur qetësinë publike.

Konkretisht, shtetasit: Sh. G., 32 vjeç, A. G., 56 vjeç, A. B., 25 vjeç, V. K., 28 vjeç, G. K., 30 vjeçe, A. K., 43 vjeç, E. S., 36 vjeç, A. K., 34 vjeç dhe R. Sh., 22 vjeç.

Këta shtetas kanë qëndruar në tejkalim të orarit të njoftuar për zhvillimin e tubimit, si dhe kanë zaptuar hapësirën publike, duke vendosur karrige metalike dhe sende të tjera në bulevard.

Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë për lirimin e hapësirës së zënë dhe respektimin e dispozitave ligjore, ata kanë refuzuar të largohen dhe kanë vijuar qëndrimin në këtë zonë.

Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë përgjegjës për veprime të kundërligjshme gjatë tubimit.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”.

Lini një koment