Qeveria amerikane ndalon subvencionet për 189,000 të siguruar të Obamacare, kursim 738 milionë dollarë
Qeveria federale amerikane do të ndalojë pagesat e subvencioneve për 189,000 persona të regjistruar në programet e Affordable Care Act, të njohur si Obamacare, në një lëvizje që, siç njofton Reuters, pritet të parandalojë pagesa prej 738 milionë dollarësh gjatë këtij viti.
Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., e njoftoi vendimin të mërkurën, duke shpjeguar se rastet e prekura janë identifikuar gjatë verifikimit të regjistrimeve në sistemin e sigurimeve shëndetësore.
Sipas njoftimit, bëhet fjalë për regjistrime të dyfishta, për persona të regjistruar në mënyrë të parregullt edhe në plane të tjera qeveritare shëndetësore, si dhe për persona që rezultojnë të vdekur.
Ndalimi i pagesave synon, sipas administratës, të shmangë shpenzimet për përfitues që nuk plotësojnë kushtet e programit, pasi një person nuk mund të mbulohet njëkohësisht nga skema të ndryshme publike.
Vendimi vjen në kuadër të kontrollit më të gjerë të administratës mbi shpenzimet e programeve shëndetësore dhe të përpjekjeve për të pastruar listat e regjistrimeve nga gabimet dhe parregullsitë.