Qeveria britanike do të shqyrtojë ndryshimin e moshës së pëlqimit pas akuzave ndaj Russell Brand
Qeveria britanike do të shqyrtojë mundësinë e ndryshimit të ligjit për moshën e pëlqimit seksual, pasi një grua hoqi anonimitetin për të rrëfyer publikisht se ishte përdhunuar nga komediani Russell Brand kur ishte nxënëse 16-vjeçare. Siç njofton Sky News, Mia Latter, sot 37 vjeçe, pretendon se Brand e përdhunoi oralisht drejt fundit të marrëdhënies së tyre tremujore, kur ai ishte 30 vjeç.
Në një intervistë për The Sunday Times, Latter kërkoi futjen e një moshe pëlqimi të shkallëzuar, e cila do t’i bënte të paligjshme marrëdhëniet seksuale mes të rriturve dhe adoleshentëve 16 e 17 vjeç. Sipas ligjit aktual britanik, një i rritur i çdo moshe mund të kryejë ligjërisht marrëdhënie me 16 e 17-vjeçarë. “Të rriturit nuk duhet të lejohen të kenë marrëdhënie seksuale me fëmijë”, tha ajo.
Sekretarja e parë e shtetit, Louise Haigh, i tha gazetës se rrëfimi “tronditës” i Latter bën që ndryshimi i ligjit të meritojë shqyrtim serioz. “Duhet t’i dëgjojmë Mia-n dhe viktima të tjera si ajo, sepse është shumë e rëndësishme që, si ligjvënës, përvoja e tyre të jetë në qendër të asaj që shqyrtojmë. Do të ishte një hap shumë i madh ndryshimi i moshës së pëlqimit, por meriton vëmendje dhe shqyrtim të duhur”, tha Haigh.
Latter ishte identifikuar me pseudonimin “Alice” në investigimin e vitit 2023 të The Sunday Times, The Times dhe emisionit Dispatches të Channel 4 për keqtrajtimin e grave nga Brand. Ajo foli me policinë pas dokumentarit, por Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës vendosi të mos e përfshijë çështjen e saj në gjyqin e Brand në Gjykatën e Kurorës në Southwark. Sipas raportimit, ajo ka vendosur të mos e vazhdojë procesin penal, për t’u përqendruar te fushata për ndryshimin e ligjit.
Brand u dënua në fillim të kësaj jave me dhjetë vjet e gjysmë burg për një përdhunim dhe tre sulme seksuale. Policia Metropolitane, siç raportojnë mediat britanike, ka bërë të ditur se hetimi për akuzën e Latter, i nisur në janar 2026 pas një denoncimi për përdhunim, mbetet i hapur.