E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Qeveria e Kosovës prezanton buxhetin për vitin 2027, do të jetë 4.27 miliardë euro

Qeveria e Kosovës prezanton buxhetin për vitin 2027, do të jetë 4.27 miliardë euro

Qeveria e Kosovës ka prezantuar të hënën projektbuxhetin për vitin 2027, i cili kap vlerën e 4.27 miliardë eurove. Kryeministri Albin Kurti tha se projektbuxheti i vitit të ardhshëm është 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar për vitin 2026 dhe 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar i këtij viti.

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2027, që do të jetë 4.27 miliardë euro. Siç bëhet e ditur, buxheti i paraparë i vitit të ardhshëm është 300 milionë euro më shumë se buxheti bazë i këtij viti. Projektbuxheti është proceduar në Kuvend.

Kurti në fjalimin e tij në mbledhje ka thënë se rritja ekonomike në tremujorin e parë dhe tremujorin e dytë të vitit ka qenë 5.4 për qind përkatësisht 4.1 për qind. Ai ka thënë se kjo e vendos Kosovën në vendet me rritjen më të shpejt ekonomike në rajon e më gjerë.

“Për vitin 2027 buxheti i projektuar është 4.27 miliardë euro. Është për 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar i vitit 2026 dhe për 300 milionë euro më i lartë sesa buxheti bazë i vitit 2026”, tha Kurti. “Nga ky buxhet 908 milionë euro do të shkojnë për komunat. Është buxhet rekord për komunat”.

Kurti ka thënë se me këtë buxhet parashihet paga e 13 edhe në vitin 2027 e nga 1 korriku ka thënë se do të rritet koeficienti i pagës në 120 euro.

“Pra, pjesa e parë e vitit do të jetë me pagë të 13-të e pjesën e dytë të vitit do të ketë rritje pagës për të gjithë nëpunësit që marrin paga nga buxheti. Kjo e çon buxhetin e pagave në 1 miliard e 85 milionë euro”, tha Kurti.

Ai ka thënë se kur pjesëtohet kjo me 85 mijë punonjës, atëherë paga vjetore bruto rezulton mbi 12 mijë euro apo mbi 1000 euro bruto në muaj.

Kurti ka thënë se me këtë buxhet është paraparë edhe rritja e buxhetit për ekipet mbrojtëse ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërkohë Kurti ka thënë se në buxhetin e ri parashihet edhe rritja e shtesave me nga 25 për qind çdo vit. Ka thënë se nga janari i vitit 2027 do të rriten shtesat për fëmijë për 25 për qind, e çdo vit të mandatit do të vazhdohet në atë mënyrë.

“Një familje që ka dy fëmijë tash i merr 60 euro, e nga janari do t’i marrë 75 euro. E një familje me 4 fëmijë merr tash 180 euro e nga janari do të marrë 225 euro. Kjo rritje vazhdon secilin vit derisa të arrihet dyfishimi i shtesave brenda mandatit”, tha Kurti.

Kurti ka thënë se janë përgjysmuar shpenzimet për udhëtime jashtë vendit, ndërsa paratë e kursyera janë ndarë si buxhet për barna esenciale në SHSKUK. Ndërsa ka thënë se me buxhet parashihet edhe investime në QMF e në aparatura të teknologjive më moderne.

Kurti ka thënë se për herë të parë buxheti parasheh mbi 1 miliard euro në kategorinë e investimeve kapitale. Ka thënë se në këtë përfshihet ndërtimi i Unazës së Jashtme të Prishtinës, segmenti Duhël-Banullë, autoudha e Dukagjinit e shumë rrugë tjera.

Po ashtu tha se është përfshirë edhe linja për kompletimin e infrastrukturës sportive për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, si dhe është paraparë themelimi i një aviokompanie kombëtare.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë prezantimit të projektbuxhetit, ka thënë se ai mbështetet në rritjen ekonomike, zgjerimin e tregut të punës dhe qëndrueshmërinë e financave publike.

Murati ka bërë të ditur se gjatë vitit 2027, bruto produkti vendor i Kosovës pritet të arrijë në 30.4 miliardë euro, ndërsa të hyrat buxhetore për herë të parë do të kalojnë shifrën prej 4 miliardë eurosh.

“Një buxhet pra që po e sjell para jush me optimizëm, por me besim, sepse ai mbështetet mbi një ekonomi që rritet, mbi një treg pune që po zgjerohet dhe mbi financa publike të shëndosha. Kosova sot ka një ekonomi me rritje të qëndrueshme. Në vitin 2027 bruto produkti vendor pritet të arrijë në 30.4 miliardë euro. Të hyrat buxhetore për herë të parë do të kalojnë 4 miliardë euro, ndërkaq borxhi publik mbetet tek rreth 16% e bruto produktit vendor, që është ndër nivelet më të ulëta në rajon. Kjo do të thotë më shumë vende pune, paga më të larta dhe shërbime më të mira për qytetarët tanë”, ka deklaruar Murati.

Ministri ka treguar se përgatitja e buxhetit ka nisur në muajin maj të këtij viti, duke theksuar se Ministria e Financave ka zhvilluar konsultime me organizatat buxhetore për përfshirjen e prioriteteve dhe nevojave të institucioneve publike.

Lini një koment