Qeveria miraton lehtësira për industrinë e mbrojtjes, Nufi: Do të përshpejtohet prodhimi i pajisjeve ushtarake në Shqipëri
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave për këtë sezon u miratuan pesë akte që lidhen me Ministrinë e Mbrojtjes.
Sipas tij, një nga vendimet kryesore është ndryshimi i ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), me qëllim lehtësimin e procedurave për kompanitë dhe ndërmarrjet e përbashkëta që operojnë në industrinë e mbrojtjes.
Nufi theksoi se ky ndryshim do të krijojë kushte më të favorshme për investimet dhe sjelljen në Shqipëri të teknologjive më të avancuara në këtë sektor, duke nxitur zhvillimin e mëtejshëm të fabrikave dhe kompanive që prodhojnë mjete dhe pajisje ushtarake.
Sipas ministrit, lehtësimi fiskal do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe do të garantojë furnizimin në kohë reale të Forcave të Armatosura dhe forcave të tjera të sigurisë në vend.
“Sot në mbledhjen e fundit për këtë sezon të Këshillit të Ministrave u miratuan disa akte për Ministrinë e Mbrojtjes, 5 gjithsej. Ndër to, ndryshimi i ligjit për TVSH-në për të vijuar procedurat për disa nga kompanitë dhe të gjitha ndërmarrjet e përbashkëta që ne kemi në fushën e industrinë e mbrojtjes lidhur me ligjin për TVSH-në dhe angazhimin e tyre konkret në sjelljen e teknologjisë së fjalës së fundit për këtë industri në Republikën e Shqipërisë, ky lehtësim është i jashtëzakonshëm për sa i përket zhvillimit të mëtejshëm, angazhimit dhe ngritjen e këtyre fabrikave, këtyre kompanive në Republikën e Shqipërisë për prodhimin e mjeteve dhe pajisjeve ushtarake duke garantuar kështu që prodhimi për FA-të dhe Forcat e Sigurisë në Republikën e Shqipërisë është në kohë reale dhe ajo dorëzohet shumë shpejt. Në ditët e ardhshme do të kemi dhe një event tjetër ku do të bëjmë publike se sa shpejt këto mjete prodhohen kur prodhohen në Shqipëri dhe sa efektive janë”, tha ministri Nufi.