E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Qeveria miraton numrin unik të Emergjencave 112, shërbim 24 orë në të gjithë vendin!

Qeveria miraton numrin unik të Emergjencave 112, shërbim 24 orë në të gjithë vendin!

Këshilli i Ministrave miratoi këtë të premte një sërë vendimesh dhe aktesh normative që prekin fusha të ndryshme, nga kompensimi i dëmeve të shkaktuara gjatë tubimeve të dhunshme, te siguria publike, agroturizmi, strukturat akomoduese dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.

Një nga vendimet kryesore të mbledhjes ishte miratimi i aktit normativ për kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve. Sipas qeverisë, mekanizmi i ri synon të garantojë kompensimin e shpejtë të dëmeve materiale për qytetarët dhe subjektet e dëmtuara, ndërsa kostot përfundimtare do të mbulohen nga personat që kanë shkaktuar dëmet.

Po ashtu, qeveria miratoi ngritjen dhe funksionimin e sistemit të numrit të unifikuar të thirrjeve emergjente 112, i cili do të shërbejë si pikë e vetme kontakti për raportimin e situatave emergjente në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Sipas vendimit, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të ketë përgjegjësinë për koordinimin, administrimin dhe mbikëqyrjen e sistemit. Numri 112 do të funksionojë 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, duke ofruar shërbim në gjuhën shqipe dhe angleze.

Sistemi do të mundësojë identifikimin e vendndodhjes së telefonuesit, përfshirë teknologjinë Advanced Mobile Location (AML) për telefonat inteligjentë Android dhe iOS. Po ashtu, do të ofrojë komunikim përmes SMS-ve dhe formave të tjera të komunikimit me tekst, duke u ardhur në ndihmë edhe personave me aftësi të kufizuara në dëgjim ose të folur.

Vendimi parashikon krijimin e një strukture të centralizuar të quajtur “Pika e Përgjigjes për Sigurinë Publike” (PSAP), e cila do të marrë, vlerësojë, klasifikojë dhe shpërndajë të gjitha thirrjet emergjente te shërbimet përkatëse.

Në rastet e emergjencave civile, koordinimi i ndërhyrjeve do të kryhet nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Sipas vendimit, çdo telefonatë në numrin 112 do të regjistrohet dhe do të ruhet në databazë për qëllime reference dhe përdorimi nga organet ligjzbatuese kur kërkohet.

Financimi i sistemit do të përballohet nga buxheti i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile në kuadër të mbështetjes së ofruar nga qeveria italiane për iniciativën “Mbështetje për ngritjen e sistemit të mbrojtjes civile në Shqipëri”.

Ndër vendimet e tjera të miratuara në mbledhjen e qeverisë përfshihet edhe një marrëveshje bashkëpunimi me NATO-n në mbështetje të Ukrainës, si dhe akte që lidhen me zhvillimin e agroturizmit dhe rregullimin e strukturave akomoduese në vend.

Vendimi për ngritjen dhe funksionimin e sistemit të numrit të unifikuar të emergjencave 112 hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Lini një koment