E premte, 6 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Qeveria miraton Projektligjin për Energjinë, krijohet Fondi i Efiçiencës së Energjisë

Qeveria miraton Projektligjin për Energjinë, krijohet Fondi i Efiçiencës së Energjisë

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të 290-të elektronike, ka miratuar Projektligjin për Energjinë, i cili përcakton kornizën e re ligjore për zhvillimin dhe funksionimin e sektorit të energjisë në vend, siç njofton RTK. Projektligji është në përputhje me detyrimet e Kosovës nga marrëveshja për anëtarësim në Komunitetin e Energjisë, si dhe me standardet dhe legjislacionin evropian.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, të cituar nga RTK, projektligji parashikon reformën e plotë të sektorit, me rregulla të qarta për prodhimin, transmetimin, shpërndarjen dhe furnizimin me energji, si dhe mekanizma të rinj për furnizim të sigurt e të qëndrueshëm, çmime të drejta për konsumatorët dhe zhvillimin e tregut të brendshëm të energjisë.

Projektligji parashikon edhe krijimin e Fondit të Efiçiencës së Energjisë së Kosovës, si institucion qendror për mbështetjen e masave të efiçiencës së energjisë në sektorët publikë dhe privatë, me fokus në uljen e konsumit të energjisë dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve.

Në të njëjtën mbledhje, Qeveria miratoi nismën për marrëveshjen e financimit për Projektin e Efiçiencës së Energjisë në Kosovë, mes Kosovës — të përfaqësuar nga Ministria e Financave — dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim e Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, si dhe nismën për marrëveshjen e financimit dhe grantit me Komisionin Evropian dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim, për projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Prishtinë.

Qeveria miratoi gjithashtu Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë, Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe Komisionit Evropian, për financimin e Projektit të Ndërtimit të Centralit të ri me gaz të Prishtinës.

Lini një koment