Qori: Do të kandidoj për Tiranën, por përparësia jonë është protesta. Në 2029 nuk do të jem më kryetar i Lëvizjes “Bashkë”
Kryetari i Lëvizjes “Bashkë”, Arlind Qori, ka konfirmuar se do të jetë kandidat i forcës së tij politike për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme vendore, por theksoi se prioriteti aktual i partisë nuk janë zgjedhjet lokale, por mbështetja e protestave qytetare dhe synimi për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
I ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH 24, me gazetaren Alba Alishani, Qori u shpreh se kandidatura e tij për Tiranën nuk është një zhvillim i ri politik, por një vendim i marrë prej kohësh nga strukturat drejtuese të partisë.
“Ne nuk kemi bërë asgjë të re dhe asgjë të papritur. Këtë vendim e kemi marrë një vit më parë, kur u thirrën zgjedhje të parakohshme për Bashkinë e Tiranës. Unë dola asokohe me vendim të Këshillit Koordinues të Lëvizjes Bashkë, sepse kështu e kemi statutin, dhe thashë se do të jem kandidat i Lëvizjes Bashkë për zgjedhjet e Tiranës. Sigurisht zgjedhjet u anuluan, por unë mbetem kandidat i Lëvizjes Bashkë”, tha Qori.
Ai sqaroi se, pavarësisht diskutimeve të shtuara rreth kandidimit të tij, fokusi i partisë mbetet beteja politike kundër qeverisë.
“Pavarësisht se emri im po lakohet gjithnjë e më shpesh, përparësia jonë nuk janë zgjedhjet lokale sot. Përparësia jonë është protesta. Mbështetja e protestës qytetare, rrëzimi i qeverisë dhe mundësia që të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare përpara zgjedhjeve lokale. Në rast se nuk do t’ia arrijmë këtij objektivi si shoqëri, dhe jo thjesht si Lëvizje Bashkë, atëherë po, unë do të jem kandidat i Lëvizjes Bashkë për Tiranën”, deklaroi ai.
Qori tha se kandidimi për drejtimin e kryeqytetit përbën një akt përgjegjësie politike, por edhe një rrezik për kreun e një partie.
“Arsyeja pse unë kandidova dhe do të kandidoj për Tiranën është edhe një lloj përgjegjësie politike. E kam bërë këtë gjë në vitin 2023, sapo ishim formuar si parti. Besoj që kur një kryetar partie kandidon për kryetar bashkie, përveçse një përgjegjësi e madhe, është edhe një risk politik. Nuk ndodh shpesh një gjë e tillë”, u shpreh ai.
Sipas Qorit, rezultati i një gare të tillë nuk prek vetëm kandidatin, por të gjithë forcën politike që ai përfaqëson.
“Ky është një vendim që është mbështetur nga Lëvizja Bashkë dhe vazhdon të mbështetet prej saj. E konsideroj jo vetëm përgjegjësi, por edhe një lloj risku politik. Në qoftë se kryetari i partisë nuk del mirë në zgjedhje, atëherë kjo është një disfatë jo vetëm për mua, por edhe për Lëvizjen Bashkë. Kështu që e konsideroj edhe një akt përkushtimi dhe një përpjekje politike”, tha ai.
Gjatë intervistës, kreu i Lëvizjes “Bashkë” bëri të ditur gjithashtu se nuk synon të qëndrojë për një kohë të gjatë në drejtimin e partisë dhe se në vitin 2029 nuk do të kërkojë një mandat të ri.
“Unë nuk jam një kryetar i zakonshëm partie. Jam një kryetar partie që kam vendosur që në vitin 2029 nuk do të jem më kryetar i Lëvizjes Bashkë. Në vitin 2029 do të bëhen shtatë vjet që unë kam qenë kryetar dhe nuk do të jem kandidat në kongresin e ardhshëm të Lëvizjes Bashkë për kryetar”, deklaroi Qori.
Ai theksoi se, megjithëse partia nuk ka kufizime statutore për mandatet drejtuese, rotacioni duhet të vijë si rezultat i përgjegjësisë politike dhe shembullit që japin drejtuesit.
“Mendojmë se është përgjegjësia njerëzore dhe fakti që dikush duhet të udhëheqë politikisht nëpërmjet shembullit. Është edhe akt përgjegjësie, edhe shembull politik”, u shpreh ai.
Qori foli edhe për angazhimin e forcës së tij në protestat kundër qeverisë, duke thënë se partia ka lënë në plan të dytë aktivitetin organizativ për t’u përqendruar në mobilizimin qytetar.
“Ne jemi kontribues në protestë. Praktikisht kemi pezulluar të gjitha aktivitetet partiake që nga qershori i këtij viti e deri më sot. Nuk na sheh të bëjmë takime nëpër rrethe apo aktivitete të tjera politike. Jemi kokë e këmbë të përfshirë për ta mbështetur protestën në maksimumin e energjive dhe të forcave tona”, deklaroi ai.
Sipas kreut të Lëvizjes Bashkë, protestat nuk lidhen me një strategji elektorale, por me synimin për të sjellë ndryshim politik në vend.
“Për ne protesta nuk është e rëndësishme sepse është pjesë e një fushate. Për ne protesta është e rëndësishme sepse mund të na japë një mundësi të artë: të rrëzojmë një qeveri, për mendimin tim jo legjitime, pa u shkërmoqur shteti. Në 35 vitet e fundit vetëm një herë është rrëzuar një qeveri dhe atëherë ka kërcitur pushka. Unë uroj shumë që ne të kemi mundësinë të vendosim një shembull që përmes protestave qytetare të mundësohet rënia e një qeverie fund e krye të korruptuar dhe abuzive, duke lënë një precedent të mirë për të ardhmen”, përfundoi Qori.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.