“Rama, ahengje me shelegët e Kuçit”, Berisha: S’ka legjitimitet, të japë dorëheqjen
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha po mban një konferencë për mediat sot në 25 gusht.
E nisi fjalën me kritika ndaj kryeministrit Edi Rama dhe mbledhjeve të tij qeveritare në Kuç e në Pogradec. Kryedemokrati nënvizoi se Rama nuk ka legjitimitet dhe se duhet të japë urgjentisht dorëheqjen.
“Java që kaloi u mbyll me shelegët e Kuçit dhe koranin e Pogradecit. Barkderrat e shtetit nuk kanë të ngopur. Në një kohë kur prej mbi 3 muajve protestohet në rrugët e Tiranës kundër një qeverie që nuk ka legjitimitet, protestohet kundër një qeveri armike në qëndrimet e saj ndaj qytetarëve, Edi Rama ka zgjedhur ahengjet qeveritare.
Duhet ta mësoni ju se, Kuçi ka shumë gjëra për të cilat është i njohur, por edhe për shelegët dhe gatimin e tyre. Dhe kjo ishte arsyeja e takimit në Kuç.
Korani nuk ka nevojë për komente. Po cili ishte rezultati i këtyre takimeve? Mashtrime, mashtrime dhe vetëm mashtrime. Çfarë doli nga Pogradeci? U mblodhën për të zgjidhur hallet e kombit. Çfarë solli si rezultat kjo mbledhje? Çfarë dëgjuan qytetarët shqiptarë, që në Tiranë duhet të paguajnë qira më shumë se 2/3-tat e rrogës së tyre?
Çfarë dëgjuan studentët, të cilët nisin vitin e ri shkollor në universitet në pamundësi për të paguar qiratë e larta, apo të rinjtë për të blerë një strehë familjare?
Pra, a mund të imagjinohet një shkëputje stratosferike e tillë, e cila shpreh një shkallë stratosferike inkriminimi të Edi Ramës dhe organizatës së tij kriminale, që kalojnë nga ahengu qeveritar në aheng tjetër qeveritar dhe bëjnë sikur në Shqipëri nuk ndodh asgjë”, tha Berisha.
Më tej, deklaroi se Shqipëria ka nevojë urgjente për minimumin jetik dhe për heqjen e TVSH-së për ushqimet bazë.
“Shqipëria ka nevojë urgjente për vendosjen e minimumit jetik. Të dhënat e fundit mbi kërcënimin e urisë janë kambanat më alarmuese, të cilët kërkojnë para së gjithash vendosjen e minimumit jetik dhe heqjen e TVSH-së për të gjitha ushqimet bazë.
Kërkojnë subvencionimin e qirave strategjike nga narko-eurot dhe narko-dollarët. Kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës, i cili ka humbur çdo legjitimitet. Nuk është legjitim për shkak të farsës elektorale.
Nuk është legjitim për shkak të mbrojtjes së korrupsionit dhe vjedhjeve që ka bërë. Nuk është legjitim për shkak të instalimit të narko-shtetit në Shqipëri dhe diktaturës autoritare”, u shpreh kryetari i PD-së.