Monday, 28 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Rama: BE të mos e lërë sërish në baltë Ballkanin Perëndimor, në të kundërt do jetë dështimi më i madh i saj

Rama: BE të mos e lërë sërish në baltë Ballkanin Perëndimor, në të kundërt do jetë dështimi më i madh i saj

Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mos e lërë sërish në baltë Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se një dështim i procesit të integrimit të rajonit do të ishte një dështim i madh për vetë Evropën.

Duke folur në Konferencën Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, Rama tha se Shqipëria “wshtw e dashuruar” me Bashkimin Evropian dhe se mbështetja për Europwn mbetet e fortë në vend.

“Nga ana tjetër, krahasuar me vendet e BE-së, ne kemi një përparësi të madhe, pasi Shqipëria ende e dashuron BE-në dhe nuk ndodh fiks kështu me vendet tuaja, ku më shumë merret si e mirëqenë, kurse ne jemi tërësisht shumë të angazhuar. Përtej diskutimeve brenda nesh në vend, për një gjë kemi rënë dakord gjithmonë: ne e duam Evropën dhe duam të jemi brenda saj. Ne duam që ju të mos na lini sërish në baltë, pasi nëse ndodh që Ballkani Perëndimor të lihet në baltë, kjo do të jetë dështimi madhor i Evropës.

Pavarësisht zellit apo ngurrimit, uroj që të gjithë të gjejmë rrugën për t’i dhënë botës dhe BE-së një sinjal shumë të fortë. Unë besoj se nuk është aq e vështirë të gjendet një rrugë e tillë”, tha Rama.

Rama tha se Shqipëria ka bërë përparim të madh gjatë dekadës së fundit dhe se pritshmëritë e qytetarëve për të ardhmen e vendit janë rritur. Sipas tij, ky ndryshim përbën një “revolucion të rritjes së pritshmërive”, pasi qytetarët besojnë se vendi ka mundësi të ecë më tej dhe të ndryshojë.

“Kur flasim për këtë moment në Shqipëri, ju jeni argëtuar mjaft kohët e fundit me flamengot dhe fotot e bukura që shpërndanin nga kokat e tyre të parlamentit. Ky është shembulli më i mirë i momentit që po kalojmë. Besojmë se Shqipëria ka bërë mjaft përparim në dekadën e fundit dhe ka kaluar nga një epokë kur njerëzit gjithmonë mendonin se gjërat mund të bëheshin më keq, tani jemi në një epokë të re, ku njerëzit mendojnë se gjërat mund të bëhen më mirë.

Ky është një revolucion i rritjes së pritshmërive. Njerëzit mendojnë se vendi e ka aftësinë për të ecur edhe më lart dhe mund të bëhet ndryshe. Shumë gjëra po lëvizin dhe ka një zhvillim të dukshëm për këdo.

Lidhur me pasiguritë që të jep koha e sotme në hapësirën tonë të demokracisë, ky hutim i madh mes lirisë së fjalës dhe lirisë së qasjes ka çuar në një farë trysnie që vjen nga shumë lajme të pasakta dhe shumë teori konspirative, që kanë shtuar barrën e rëndë sociale”, tha Rama.

Lini një koment