Rama flet për France 24: Faktorët e huaj nuk e duan investimin në Zvërnec
Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat kundër investimit prej 4 miliardë dollarësh në Zvërnec, duke i lidhur ato jo vetëm me pakënaqësi të brendshme, por edhe me ndikime të jashtme që, sipas tij, synojnë të pengojnë projektin.
Në një intervistë për televizionin francez “France 24”, Rama tha se në këtë situatë mund të jenë të përfshira aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë, përfshirë Iranin dhe vende apo faktorë rajonalë që, sipas tij, nuk e mirëpresin zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
Ai përmendi gjithashtu se Shqipëria ndodhet prej vitesh në një konflikt kibernetik me Iranin, duke sugjeruar se kjo klimë mund të ketë ndikim edhe në zhvillime të tjera politike dhe shoqërore në vend.
Sipas Ramës, protestat në kryeqytet nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin e zonës ku pritet të realizohet investimi. Ai theksoi se në Vlorë, ndryshe nga Tirana, projekti shihet më pozitivisht nga banorët lokalë.