Rama kërkon nga BE-ja hapjen e statusit të kandidatit për Kosovën
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që Kosovës t`i hapet rruga drejt statusit të vendit kandidat, duke e cilësuar këtë si nevojë urgjente.
Gjatë samitit për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, në Tiranë, Rama u ka bërë thirrje përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE-së që ta mbështesin këtë proces.
“Dua të shfrytëzoj rastin nga prania e shumë përfaqësuesve këtu të vendeve anëtare të BE-së, për të nënvizuar nevojën urgjente për t’u hapur drejt statusit të kandidatit për Kosovën, sepse është shumë i nevojshëm”, ka deklaruar Rama.
Ai ka thënë se kjo kërkesë do të jetë pjesë e çdo bisede të tij dhe të përfaqësuesve të Kosovës në takimet me zyrtarët e Bashkimit Evropian nga vendet anëtare, raporton rtk.
“Ne mendojmë që nuk ka asnjë kuptim që Kosova të lihet jashtë procesit, ndonëse statusi i kandidatit nuk do të thotë anëtarësim automatikisht, por do të thotë që BE-ja është serioze kur vjen puna te riangazhimi në kohë kaq të vështira dhe të trazuara”, ka thënë Rama.